Gjermania ka deklaruar se Rusia qëndron pas sulmit me dron të muajit të kaluar në aeroportin Leipzig/Halle, në lindje të vendit. Më 4 gusht, në aeroport u zbulua një dron i pajisur me një pajisje shpërthyese, pranë avionëve ukrainas të transportit. Pajisja nuk shpërtheu, pasi dyshohet se detonatori kishte pësuar defekt. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se një dron i dytë është përplasur me një avion transporti që ndodhej pranë.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se sulmi i 4 gushtit ndjek “modelin e konsoliduar të operacioneve hibride ruse në Evropë”. Sipas tij, ekziston edhe pritshmëria që Gjermania mund të jetë sërish objektiv i një sulmi të tillë.
Ekspertët e sigurisë kishin hedhur më herët dyshime se Rusia mund të ishte përgjegjëse për incidentin, por Moska i ka mohuar deri tani akuzat për përfshirje.
Aeroporti Leipzig/Halle përdoret nga ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s për transportin e pajisjeve ushtarake. Ai shërben gjithashtu si bazë për kompaninë ukrainase Antonov Airlines, e cila kryen një pjesë të konsiderueshme të transportit ajror të mallrave për Ukrainën.
Në një zhvillim të mëtejshëm, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili ndodhej pranë Dobrindtit gjatë konferencës për shtyp në Berlin, njoftoi se do të urdhëronte mbylljen e konsullatës ruse në Bon.
Wadephul bëri të ditur gjithashtu se kontrata për “Russian House” në Berlin do të ndërpritet. Institucioni është kritikuar nga disa vëzhgues, të cilët e kanë akuzuar se është përdorur për aktivitete spiunazhi dhe për përhapjen e propagandës ruse. Top Channel

