Autoritetet holandeze kanë arrestuar 34 persona pas një shkëmbimi me armë zjarri, ku u shënua një viktimë dhe dy oficerë policie mbetën të plagosur.
Të shtënat, që dyshohet se kanë ndodhur për shkak të një konflikti mes bandash, janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në Overasselt, rreth 135 kilometra në juglindje të Amsterdamit.
Dy oficerët e plagosur të policisë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore ndërsa ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Pamjet e kamerave të sigurisë të transmetuara nga gazeta holandeze De Telegraaf treguan rreth 30 persona, shumë prej të cilëve mbanin maska dhe armë, duke ecur në një rrugë para nisjes së të shtënave masive
Shefja e policisë kombëtare, Janny Knol, tha në një postim në “X” se oficerë nga e gjithë vendi po hetonin ngjarje dhe se kishin ndaluar tashmë një numër të madh të dyshuarish.
Motivi i ngjarjes ende nuk është deklaruar zyrtarisht nga autoritetet hetimore. Policia njoftoi po ashtu se 34 personat e ndaluar përfshinin persona nga Holanda, Franca, Belgjika dhe Algjeria. Identitetet dhe akuzat e ngritura ndaj tyre ende nuk janë bërë të ditura.
Holanda është një destinacion kryesor për kokainën që mbërrin në porte të mëdha dhe të vogla në të gjithë vendin. Bandat kriminale që veprojnë në vend janë gjithashtu prodhues të mëdhenj të drogave sintetike. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

