Zemërimi i protestuesve nuk po shkatërron klasën politike që ata duan të ndryshojnë. Përkundrazi, zjarri dhe gurët po bien edhe mbi shpatullat e bizneseve të vogla. Disa prej tyre janë djegur, të tjerave u janë thyer xhamat dhe dëmtuar fasadat. Por ka edhe nga ata që, përballë mungesës së reagimit të shtetit për të mbrojtur qytetarët dhe pronën private, po përpiqen të vetëmbrohen në forma të ndryshme. Disa kanë ulur qepenat, ndërsa të tjerë kanë vendosur mbishkrimin: “Jemi me ju, ju lutem mos na dëmtoni!”
Një lutje e tillë vjen edhe nga vetë studentët, të cilët mbështesin protestën, por jo dhunën.
“Unë e dua protestën, por jo dhunën. Ja, shiko, dera nuk hapet. Unë punoj dhe studioj në vitin e dytë të masterit për Financë. Vij nga Rrogozhina, por të thyesh një biznes nuk është aspak gjë e mirë”, shprehet studenti.
Frika se mos protestuesit i shkatërrojnë biznesin që ka ngritur me mund prej 27 vitesh, e ka detyruar Irena Muratajn të boshatisë raftet e optikës së saj.
Prej dy ditësh, Irena refuzon klientët. Në vend që të punojë, ajo paraqitet çdo ditë për të ruajtur biznesin e saj.
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, thotë se sulmi ndaj biznesit mund të sjellë uljen e numrit të qytetarëve që mbështesin protestën: “Sigurisht që protestat i mbështes, por që në fillim kam theksuar që nuk duhet të ketë asnjë cenim ndaj biznesit privat. Paguan tre kosto. Një që i bie aktiviteti. Dy që dëmtohet. Dhe tre që të gjitha këto dëmtime do të kenë si burim financimi taksat, asnjë tjetër”.
Pas bankave, ndër bizneset më të sulmuara janë kioskat. Për t’u shpëtuar flakëve apo grabitjeve, shumë dyqane kanë vendosur mbishkrime përmes të cilave shprehin mbështetjen për protestën, por jo për shkatërrimin.
Arben Malaj jep zgjidhjen se si protestuesit mund të arrijnë qëllimin e tyre, duke i qëndruar larg zjarrit: “Kemi një kulturë të re politike. Të nxisim ose të detyrojmë rotacionet politike në mënyrë paqësore pa shkatërruar institucionet dhe pa i krijuar kosto shtesë biznesit të vendit tonë”.
Kjo nuk është pamja më e mirë e protestës, as e zërit të të rinjve. Sepse kur digjet një biznes i vogël, nuk digjet pushteti. Digjet mundi i një familjeje shqiptare, së cilës i duhet të paguajë çdo muaj fatura. Për TCH, nga kryeqyteti i protestës, Rudina Muça. Top Channel

