Rebelët Huthi në Jemen kanë marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh me raketa dhe dronë ndaj forcave qeveritare, ku mbetën të vrarë të paktën 38 ushtarë dhe 29 të tjerë u plagosën. “Forcat tona të armatosura kryen një operacion në shkallë të gjerë kundër përqendrimeve të trupave armike”, deklaroi zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Sareh, duke akuzuar forcat qeveritare për përforcim të pranisë së tyre ushtarake.
Rebelët pretendojnë se kanë vrarë ose plagosur qindra luftëtarë të mbështetur nga Arabia Saudite dhe se kanë shkatërruar kampe, depo armësh dhe automjete ushtarake. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sipas burimeve mjekësore të cituara nga AFP, të paktën 38 pjesëtarë të ushtrisë qeveritare u vranë dhe 29 u plagosën në sulme. Ky konsiderohet bilanci më i rëndë i viktimave që prej vitit 2022, kur hyri në fuqi një armëpushim mes palëve.
Një zyrtar ushtarak tha se objektiv i sulmeve ishin një kamp në provincën Marib, në Jemenin qendror, si dhe pozicione të tjera në provincën Hadramout, pranë kufirit me Arabinë Saudite.
Konflikti në Jemen nisi në vitin 2014, kur Huthitët morën kontrollin e pjesës më të madhe të territorit, përfshirë kryeqytetin Sana’a, duke detyruar forcat qeveritare të tërhiqeshin. Më pas, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Pas disa vitesh qetësie relative, përleshjet mes Huthive dhe forcave të mbështetura nga Arabia Saudite janë intensifikuar sërish në sfondin e tensioneve më të gjera rajonale.
Misioni diplomatik i SHBA-së në Jemen ka shprehur ngushëllime për familjet e ushtarëve të vrarë, duke e cilësuar sulmin si një tjetër akt dhune nga rebelët Huthi.
Ndërkohë, Huthitët kanë vazhduar edhe veprimet detare në Detin e Kuq, duke pretenduar se po reagojnë ndaj masave të Arabisë Saudite ndaj Jemenit, akuza që Riadi i ka mohuar. Top Channel

