Të paktën tetë persona, mes tyre një fëmijë dhe pesë efektivë të policisë palestineze, janë vrarë në një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës të dielën. Lajmi është bërë i ditur nga burime mjekësore dhe spitalore në enklavën palestineze. Sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile, pesë persona humbën jetën në Khan Younis, ndërsa tre të tjerë në qytetin e Gazës. Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se sulmet kishin në shënjestër një person të cilin e cilësoi si terrorist në jug të enklavës, si dhe disa objektiva të tjerë në veri. Sipas saj, rezultatet e operacionit janë ende duke u shqyrtuar. Izraeli pretendon se Hamasi po riarmatoset dhe po rifillon sulmet, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit të arritur një vit më parë. Hamasi i mohon këto akuza dhe e akuzon Izraelin se po minon marrëveshjen e paqes. Sulmet e fundit vijnë në një periudhë kur Izraeli ka shtuar operacionet ushtarake në Gaza gjatë javëve të fundit, pavarësisht armëpushimit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

