Të paktën një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur nga një sulm i ri ndaj aeroportit të Riadit, në Arabinë Saudite. Ndërkohë, koalicioni ushtarak i drejtuar nga Arabia Saudite njoftoi se ka interceptuar dhe shkatërruar një raketë balistike të lëshuar nga rebelët Houthi drejt jugut të vendit. Autoriteti i Aviacionit Civil i Arabisë Saudite bëri të ditur se sulmi i ndodhur të dielën në mbrëmje, më 11 tetor, në aeroportin e Riadit, shkaktoi vdekjen e një shtetasi pakistanez dhe plagosjen e 11 personave të tjerë.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetin social X, të plagosurit u transportuan menjëherë në spital, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Sulmi shkaktoi gjithashtu dëme materiale, të cilat, sipas autoriteteve saudite, janë ende duke u vlerësuar.
Një ditë më parë, një tjetër sulm i atribuar rebelëve Houthi kishte goditur një terminal të aeroportit King Khalid në Riad, duke shkaktuar 12 viktima, sipas raportimit të autoriteteve.
Ndërkohë, koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se ka interceptuar dhe shkatërruar një raketë balistike të lëshuar nga rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, në drejtim të qytetit Khamis Mushait, në jug të Arabisë Saudite.
Lajmi u bë i ditur nga gjeneralmajori Turki al-Malki, zëdhënës i koalicionit, përmes një postimi në platformën X.
Zhvillimet e fundit vijnë në një moment tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa sulmet me raketa dhe dronë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike dhe të popullsisë civile në Arabinë Saudite. Top Channel

