Ministri saudit i Energjisë, princi Abdul Aziz bin Salman, ka paralajmëruar një përgjigje serioze ndaj sulmeve të fundit të lëvizjes Houthi në aeroportet dhe objektet e naftës dhe gazit në Arabinë Saudite. Të dielën, një shtetas pakistanez u vra në një sulm në terminalin e aeroportit ndërkombëtar King Khalid në Riad. Një ditë më parë, një sulm me raketë ndaj një terminali tjetër la 13 persona të vrarë dhe detyroi mbylljen e tij. Houthët, të mbështetur nga Irani, deklaruan se sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj asaj që e cilësojnë si agresion saudit në zonat e Jemenit që kontrollojnë. Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë e drejtuar prej tyre raportoi se një fëmijë u vra dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën nga një sulm ajror saudit në Sana. Konflikti në Jemen nisi në vitin 2014, kur Houthët morën kontrollin e kryeqytetit Sana, ndërsa u përshkallëzua në vitin 2015 me ndërhyrjen ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, në mbështetje të qeverisë jemenase. Situata u përkeqësua në korrik, pas shpalljes nga Houthët të një embargoje detare ndaj Arabisë Saudite dhe nisjes së sulmeve me raketa e dronë ndaj aeroporteve, objekteve energjetike dhe anijeve në Detin e Kuq. Përplasjet rreth ngushticës së Bab al-Mandabit, një pikë strategjike për transportin detar, kanë shtuar shqetësimet për furnizimin global me naftë dhe kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të saj. Arabia Saudite ishte mbështetur te Deti i Kuq për eksportet e naftës, pasi lufta mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit kishte çuar në mbylljen efektive të ngushticës së Hormuzit.
Javën e kaluar, qeveria jemenase njoftoi nisjen e një ofensive të re për rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga Houthët. Forcat qeveritare deklaruan se kishin rimarrë zona pranë Bab al-Mandabit me mbështetjen e sulmeve ajrore saudite, ndërsa Houthët mohuan humbjen e territoreve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: 'Houthi' Arabia Saudite sulmet

