Hekurudha të sabotuara, dronë që bllokojnë aeroportet, anije mallrash të shënjestruara në det dhe sulme kibernetike pa pushim. Këto janë disa nga kërcënimet me të cilat po përballen vendet e NATO-s, ndërsa Aleanca paralajmëron se situata nuk pritet të ndryshojë së shpejti. Nga Berlini, ku mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte foli për rrezikun që u kanoset vendeve aleate nga sulmet hibride, duke marrë si shembull incidentet në Poloni dhe Detin e Zi. LEXO edhe...Pse enklava ruse e Kaliningradit është një pikë e mundshme konflikti me NATO-n? “Një ditë mund të jetë një sulm me zjarrvënie ndaj një fabrike ose dronë që pengojnë funksionimin e një aeroporti. Ditën tjetër mund të jenë hekurudha të sabotuara, anije mallrash të shënjestruara në det apo sulme kibernetike. Këto sulme kibernetike aktualisht janë të pandërprera”, deklaroi Rutte. Rreziku nuk kufizohet vetëm te objektivat ushtarake. Tubacionet, kabllot, rrjetet energjetike dhe ekonomitë e vendeve aleate janë të ndërlidhura, çka do të thotë se kërcënimet prekin të gjithë anëtarët e NATO-s. “Ne të gjithë jemi në shënjestër, të gjithë prekemi”, paralajmëroi kreu i Aleancës. Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, NATO po bashkëpunon me Rumaninë, Bullgarinë dhe Turqinë për situatën në Detin e Zi, ndërsa vendet anëtare po nxiten të forcojnë edhe masat e tyre kombëtare të sigurisë. Një tjetër shqetësim lidhet me raportimet se Rusia po përgatitet të dërgojë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore. Përballë kësaj mundësie, NATO po vlerëson vazhdimisht kapacitetet e saj mbrojtëse, përfshirë sigurinë në hapësirë. “Ju siguroj se do të kujdesemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në hapësirë”, deklaroi Rutte gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Përballja me këto rreziqe kërkon edhe më shumë investime ushtarake. NATO synon të rrisë prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, dronëve dhe teknologjive kundër tyre, ndërsa kapaciteti i prodhimit të predhave të artilerisë pritet të arrijë rreth 4 milionë në vitin 2027, pothuajse dyfishi i nivelit të vitit 2025. Por ndërsa Europa diskuton mundësinë e krijimit të një ushtrie të përbashkët, Rutte nuk e sheh këtë si një zgjidhje që mund të realizohet së shpejti. Pengesa kryesore mbetet sovraniteti i shteteve dhe rreziku që krijimi i një strukture të re ushtarake të vonojë vendimmarrjen në rast krize. “Nëse Putini sulmon, fillimisht do të na duhen dy ose tri javë për të rënë dakord se kush do të bëjë çfarë dhe, deri atëherë, ai ndoshta do të ketë mbërritur në Roterdam përpara se ne të kemi marrë një vendim”, tha Rutte. Për kreun e NATO-s, përparësi mbetet forcimi i strukturave ekzistuese të Aleancës dhe bashkëpunimi mes vendeve anëtare, pasi kërcënimet hibride nuk mund të përballohen vetëm me masa ushtarake. U.D/ReportTv.al rusia nato Mark Rutte Komento Komente Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71% Protesta 22.7% Asnjëra 6.2% Vota total: 2365 Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?
