Një sulm me thikë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të mesme në lagjen Başakşehir të Stambollit, ku tetë nxënëse mbetën të plagosura. Sipas autoriteteve lokale, incidenti ndodhi rreth orës 08:35, gjatë një sherri mes nxënësve. Dyshohet se sulmi është kryer nga një nxënëse 15-vjeçare, e cila më pas është arrestuar.
Të plagosurat u transportuan me ambulanca në Spitalin e Qytetit Başakşehir Çam dhe Sakura për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas raportimeve fillestare, tre prej vajzave ndodhen në gjendje të rëndë.
Në një deklaratë, Prefektura e Stambollit konfirmoi se një përleshje kishte shpërthyer mes nxënësve në shkollë, duke shkaktuar disa të plagosur. Fillimisht autoritetet raportuan për pesë nxënës të lënduar, ndërsa të dhënat e mëvonshme flasin për tetë nxënëse të plagosura.
Pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, ndërsa nxënëset e plagosura u dërguan në spital për trajtim.
Për incidentin ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ, ndërsa autoritetet po vijojnë të zbardhin rrethanat e sulmit. Top Channel

