Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka denoncuar se është bërë objektiv i sulmeve kibernetike, të cilat sipas tij lidhen me qëndrimin e Italisë në mbështetje të Ukrainës. Sipas Euronews, Tajani bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se prej disa ditësh persona të paidentifikuar po publikojnë të dhënat e tij personale në Dark Web, ndërsa po përpiqen të sigurojnë edhe informacione të tjera. Ai theksoi se sulmet kanë përfshirë edhe familjarët e tij, duke i cilësuar këto veprime si përpjekje për intimidim. Kryediplomati italian argumentoi se mbështetja e Romës për Ukrainën është arsyeja politike që qëndron pas sulmeve, duke nënvizuar se mbrojtja e lirisë, demokracisë dhe sovranitetit të një shteti është kthyer në objektiv të grupeve kriminale. Në mbështetje të tij doli edhe kryeministrja Giorgia Meloni, e cila deklaroi se publikimi apo shitja e informacioneve konfidenciale që lidhen me zyrtarët publikë përbën një çështje serioze dhe kërkon reagim të vendosur. Ndërkohë, një tjetër incident kibernetik është regjistruar ndaj kompanisë BBT SE, përgjegjëse për ndërtimin e tunelit bazë të Brennerit, një projekt hekurudhor 55 kilometra i gjatë që do të lidhë Innsbruckun në Austri me Fortezën në Itali. Kompania konfirmoi se sulmi ndodhi më 17 tetor, duke bërë të ditur se aktivizoi menjëherë protokollet e sigurisë, izoloi sistemet e prekura dhe angazhoi specialistë të jashtëm për hetimet teknike. Nga rrjeti i saj i lidhur me internetin dyshohet se janë vjedhur të dhëna jo publike.
Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung”, e cila raportoi e para për incidentin, bëri të ditur se dyshimet paraprake janë përqendruar te grupi i hakerave pro-rusë “Everest”. Megjithatë, përgjegjësia e këtij grupi për sulmin mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Antonio Tajani itali

