Lajme Zone
Izraeli drejt ndryshimit të qeverisë/ Presidenti Herzog i beson Gadi Eisenkot formimin e kabinetit të ri, Netanyahu rrezikon të largohet nga pushteti
BotëTop Channel

Izraeli drejt ndryshimit të qeverisë/ Presidenti Herzog i beson Gadi Eisenkot formimin e kabinetit të ri, Netanyahu rrezikon të largohet nga pushteti

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka njoftuar kreun e Partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për vendimin e tij për t’i besuar detyrën e formimit të qeverisë së re.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka njoftuar kreun e Partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për vendimin e tij për t’i besuar detyrën e formimit të qeverisë së re. Eisenkot është ftuar në rezidencën presidenciale, ku të dielën, më 8 nëntor, në orën 17:00, pritet të marrë zyrtarisht mandatin.

Vendimi vjen pas konsultimeve me forcat politike të përfaqësuara në Knesset, parlamentin izraelit. Gjatë tyre, partitë që përfaqësojnë 67 deputetë rekomanduan Gadi Eisenkot për të formuar qeverinë e re, ndërsa ato që përfaqësojnë 46 deputetë mbështetën kryeministrin në largim, Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë, një grup parlamentar me shtatë anëtarë zgjodhi të mos rekomandonte asnjë kandidat.

Kështu, Eisenkot merr mundësinë e parë për të negociuar krijimin e një shumice të re qeverisëse, në një zhvillim që mund të shënojë fundin e periudhës së Benjamin Netanyahut në krye të qeverisë izraelite.

Pas marrjes zyrtare të mandatit, kreu i Yashar do të ketë 28 ditë kohë për të formuar kabinetin e ri dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme në parlament.

Nëse negociatat kërkojnë më shumë kohë, presidenti Herzog ka të drejtë të japë një shtyrje prej 14 ditësh të tjera.

Megjithatë, pavarësisht numrit të rekomandimeve që ka marrë, Eisenkot përballet me sfidën e sigurimit të një shumice funksionale në parlamentin me 120 vende. Mbështetja për kandidaturën e tij gjatë konsultimeve nuk përbën automatikisht një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeverisës. Top Channel