Lajme Zone
Stuhia e fuqishme godet Greqinë/ Athina përfshihet nga reshjet dhe rrufetë, mbi 100 mijë shkarkime elektrike
BotëTop Channel

Stuhia e fuqishme godet Greqinë/ Athina përfshihet nga reshjet dhe rrufetë, mbi 100 mijë shkarkime elektrike

Një valë e fortë moti të keq ka përfshirë të premten disa zona të Greqisë, duke sjellë stuhi të fuqishme, erëra të forta, reshje intensive shiu, breshër dhe një numër të jashtëzakonshëm rrufesh.

Një valë e fortë moti të keq ka përfshirë të premten disa zona të Greqisë, duke sjellë stuhi të fuqishme, erëra të forta, reshje intensive shiu, breshër dhe një numër të jashtëzakonshëm rrufesh. Athina u përball me përkeqësim të menjëhershëm të kushteve atmosferike pasditen e së premtes. Qielli u mbulua nga re të dendura dhe të errëta, ndërsa pak para orës 19:00 (me oren lokale) nisën reshje të rrëmbyeshme shiu, të shoqëruara me erëra të forta dhe aktivitet intensiv elektrik.

Fenomenet ekstreme kanë prekur shumë zona të vendit, ku janë raportuar përmbytje në rrugë, dëmtime në ndërtesa, pemë të rrëzuara dhe probleme në qarkullim.

Sipas të dhënave meteorologjike, në orët e fundit janë regjistruar më shumë se 100 mijë goditje rrufesh në tokë dhe në det, një aktivitet i pazakontë për këtë periudhë.

Dëme dhe probleme në disa rajone

Në Fthiotidë, stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme. Erërat e fuqishme rrëzuan pemë, ndërsa rrugët u kthyen në lumenj nga reshjet e dendura. Në Makrakomi, forca e erës shkëputi çatinë metalike të një ndërtese të Unionit të Kooperativave Bujqësore, duke e hedhur rreth 100 metra larg.

Në Larisa dhe zonën përreth, qielli u errësua nga re të fuqishme, ndërsa vetëtimat ndriçonin fushën e Thesalisë. Në disa zona u raportuan edhe breshër dhe dëmtime të të mbjellave. Stuhi të forta goditën gjithashtu Agrinion, Zakynthos, Volosin, Trikalën, Dramën dhe Halkidikinë. Në këtë të fundit, banorët u alarmuan nga shfaqja e një tornadoje pranë zonës bregdetare të Psaroudias. View this post on Instagram A post shared by LamiaNOW (@lamianow.gr) Një fenomen i rrallë u regjistrua edhe në detin mes Sithonisë dhe Malit Athos, ku u shfaq një rrymë uji që lidhej mes resë së stuhisë dhe sipërfaqes së detit.

Paralajmërime nga 112

Për shkak të rrezikut nga reshjet intensive dhe stuhitë, autoritetet greke aktivizuan sistemin e emergjencës 112. Banorët e disa zonave morën njoftime për të treguar kujdes gjatë lëvizjeve.

Paralajmërimet prekën kryesisht Larisën, Fthiotidën, Evian qendrore dhe veriore, Skyros, Magnezinë dhe Sporadet.

Autoritetet kërkuan që qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë kulmit të fenomeneve dhe të tregojnë kujdes ndaj përmbytjeve të mundshme dhe objekteve që mund të rrëzohen nga era.

Moti i keq vazhdon edhe në orët në vijim

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Greqisë, moti i paqëndrueshëm pritet të vazhdojë deri në orët e para të së shtunës. Zonat më të rrezikuara janë pjesët bregdetare të Magnezisë, Evia, Sporadet, Larisa, Halkidikia dhe disa zona të Atikës.

Meteorologët paralajmërojnë se stuhitë mund të shoqërohen me erëra të forta, breshër dhe përmbytje të shpejta lokale.

Përmirësimi gradual i motit pritet të nisë nga mbrëmja e vonë e së premtes dhe gjatë së shtunës, ndërsa nga e diela Greqia pritet të rikthehet në kushte më tipike verore me rritje të temperaturave. Top Channel