Lajme Zone
Stuhia Austen godet Belgjikën dhe Holandën/ 4 të plagosur, anulohen disa fluturime
BotëCNA

Stuhia Austen godet Belgjikën dhe Holandën/ 4 të plagosur, anulohen disa fluturime

Stuhia Austen ka shkaktuar probleme të shumta në Belgjikë dhe Holandë, me rrëzime pemësh, përmbytje, ndërprerje të transportit dhe anulime fluturimesh. Në Bruksel, katër persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të kufizojnë lëvizjet për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të dendura. Shërbimi meteorologjik belg ka lëshuar alarm portokalli për erëra të for

Stuhia Austen ka shkaktuar probleme të shumta në Belgjikë dhe Holandë, me rrëzime pemësh, përmbytje, ndërprerje të transportit dhe anulime fluturimesh. Në Bruksel, katër persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të kufizojnë lëvizjet për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të dendura.

Shërbimi meteorologjik belg ka lëshuar alarm portokalli për erëra të forta në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht përgjatë bregdetit, ku priten shpejtësi të erës mbi 100 km/orë. Një pjesë e madhe e Belgjikës është përfshirë nga moti i keq, me stuhi dhe reshje të dendura shiu.

Rreth orës 14:30, një pemë e madhe u rrëzua në ambientet e jashtme të një restoranti në qendrën historike të Brukselit, duke plagosur tre persona. Sipas policisë së kryeqytetit belg, të plagosurit u morën nga ekipet e emergjencës, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

Në një tjetër zonë të Brukselit, një person u plagos pasi një degë peme e goditi në kokë. Stuhia ka shkaktuar vështirësi edhe në transportin hekurudhor dhe atë rrugor. Probleme janë raportuar në autostradat E17, që lidh Lilen me Antverpenin, dhe E313, në drejtimin Antverpen–Liège, për shkak të pemëve të rrëzuara dhe përmbytjeve në rrugë.

Policia federale belge njoftoi se në të gjithë rajonin e Valonisë janë regjistruar rrëzime pemësh dhe objektesh, duke u bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë udhëtimet vetëm në rastet e domosdoshme.

Në qytetin bregdetar të Ostendës, një tunel rrugor është mbyllur për shkak të përmbytjeve. Për arsye sigurie, parqet dhe hapësirat e gjelbra janë mbyllur në disa qytete, përfshirë Brukselin dhe Liegen, në lindje të vendit.

Edhe Holanda është prekur nga stuhia Austen. Kompania ajrore KLM, pjesë e grupit Air France-KLM, ka anuluar 20 fluturime gjatë ditës së sotme për shkak të erërave të forta, ndërsa 22 anulime të tjera priten për ditën e nesërme.

Shërbimi meteorologjik holandez ka paralajmëruar për erëra të fuqishme, me rafale që mund të arrijnë deri në 90 km/orë në disa zona të vendit, gjatë ditës dhe fundjavës. Aeroporti Schiphol, një nga nyjet më të rëndësishme të transportit ajror në Evropë, ka raportuar probleme të kufizuara në operimin e fluturimeve për shkak të kushteve atmosferike.

Stuhia Austen ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme në transport në disa vende evropiane. Sipas raportimeve, rreth 300 mijë familje në Francë dhe 12 mijë në Britani kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të erërave të forta dhe reshjeve intensive që shoqërojnë stuhinë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.