Lajme Zone
Stuhi dhe reshje intensive në Shkodër, dëme në banesa e shkolla, ndërpritet energjia elektrike në disa zona
Të tjeraABC News Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Stuhi dhe reshje intensive në Shkodër, dëme në banesa e shkolla, ndërpritet energjia elektrike në disa zona

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të Qarkut Shkodër, me dëmtime në banesa, shkolla dhe rrugë rurale, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të Qarkut Shkodër, me dëmtime në banesa, shkolla dhe rrugë rurale, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, të publikuar mëngjesin e 23 nëntorit, situata më problematike paraqitet në Bashkinë Fushë-Arrëz.

Atje janë evidentuar dëmtime në çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe në disa banesa. Gjithashtu, prurjet e ujit, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative. Edhe aksi rrugor Fushë-Arrëz–Bardhet u bllokua përkohësisht gjatë natës, pas rrëzimit të një peme, por u bë i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.

Problematika janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe prurje inertesh.

Ekipet përgjegjëse po vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit.

Në zonën e Qafë Thores janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm.

Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë, të cilat janë larguar nga shërbimet bashkiake.

Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Bashkinë Vau i Dejës, ku reshjet intensive dhe erërat e forta kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji.

Ndërkohë, sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk janë evidentuar problematika në veprat ujore.

Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë ndërhyrjet në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Prefektura e Shkodrës bën të ditur se po monitoron situatën në bashkëpunim me institucionet dhe bashkitë përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet