Lajme Zone
Studimi: Konsumi i më pak proteinave ndihmon në jetë të gjatë e të shëndetshme
EkonomiEuronews Albania

Studimi: Konsumi i më pak proteinave ndihmon në jetë të gjatë e të shëndetshme

Konsumimi i më pak proteinave mund të ndihmojë për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Ky është përfundimi i një studimi të ri, i cili sfidon bindjen se sa më shumë proteina të konsumojmë, aq më mirë është për organizmin.

Konsumimi i më pak proteinave mund të ndihmojë për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Ky është përfundimi i një studimi të ri, i cili sfidon bindjen se sa më shumë proteina të konsumojmë, aq më mirë është për organizmin. Pas analizimit të mbi 300 studimeve, studiuesit nga Shtetet e Bashkuara zbuluan se ulja e moderuar e proteinave në dietë mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve që lidhen me plakjen, si diabeti dhe disa lloje kanceri. Sipas tyre, një dietë me më pak proteina ndihmon organizmin të djegë më shumë energji, përmirëson kontrollin e sheqerit në gjak dhe aktivizon procesin natyror të riparimit të qelizave, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të tyre. Megjithatë, studiuesit theksojnë se proteinat mbeten të domosdoshme, veçanërisht për ndërtimin e masës muskulore tek personat fizikisht aktivë. Problemi, sipas tyre, është se shumica e njerëzve bëjnë një jetë sedentare dhe konsumojnë më shumë proteina sesa u nevojiten. Ekspertët paralajmërojnë se kufizimi i proteinave nuk është i përshtatshëm për të gjithë. Gratë shtatzëna, fëmijët në rritje, të moshuarit dhe personat që po rikuperohen nga sëmundje ose ndërhyrje kirurgjikale nuk duhet të ndryshojnë dietën pa këshillën e mjekut. Sipas autorëve, rekomandimet për marrjen e proteinave duhet të përshtaten me moshën, nivelin e aktivitetit fizik dhe gjendjen shëndetësore të secilit individ.