Mënyra e projektimit të qyteteve mund të ketë impakt në shëndetin publik. Studiuesit nga Universiteti Metropolitan i Osakës në Japoni, janë të mendimit se mënyra se si duket një lagje mund të ndikojë në cilësinë e gjumit të banorëve. Duke që se gjumi është shtylla kryesore e shëndetit dhe mungesa e tij lidhet me një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare, obezitet, depresion dhe ulje të produktivitetit, studiuesit po hetojnë nëse elementët e mjedisit të ndërtuar mund të ndihmojnë gjithashtu njerëzit të bëjnë një gjumë më të mirë. Studiuesit shqyrtuan se si pamja e lagjes dhe perceptimi i sigurisë ndikojnë në gjumin e të rriturve të punësuar, të moshës 40 deri në 59 vjeç, që jetonin në katin e tretë ose më poshtë në Tokio. Ekipi kërkimor përdori inteligjencën artificiale për të analizuar më shumë se 200 mijë imazhe nga Google Street View, për të identifikuar karakteristikat vizuale të lagjeve. Më pas, këto të dhëna u lidhën me informacionin mbi gjumin e 1,089 të rriturve të punësuar që jetonin në katet e ulëta të ndërtesave. Ata zbuluan se lagjet me më shumë gjelbërim u lidhën me një perceptim më të lartë të sigurisë dhe, si rrjedhojë, me një gjumë më të gjatë. Ndërsa lagjet me rrugë më të përshtatshme për këmbësorët u shoqëruan me një perceptim më të ulët të sigurisë dhe me një kohëzgjatje më të shkurtër të gjumit. Autorët thonë se këto gjetje zgjerojnë të kuptuarit mbi mënyrën se si mjedisi urban ndikon në shëndetin e gjumit dhe identifikojnë tregues praktikë që mund të ndihmojnë kërkimet e ardhshme dhe planifikimin urban për krijimin e qyteteve më të shëndetshme.
