Lajme Zone
“Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”
EkonomiTelegrafi

“Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”

Mbi 60 për qind e studentëve në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë janë vajza. Por, sa prej tyre, pas diplomimit, arrijnë të ndërtojnë karrierë në profesionin për të cilin janë arsimuar? Sa bëhen pronare toke, drejtuese biznesesh, eksperte, menaxhere apo sipërmarrëse? Dhe, sa prej tyre mbeten jashtë tregut të punës, pavarësisht investimit disavjeçar në arsim? Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të grave në Kosovë.

Mbi 60 për qind e studentëve në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë janë vajza. Por, sa prej tyre, pas diplomimit, arrijnë të ndërtojnë karrierë në profesionin për të cilin janë arsimuar? Sa bëhen pronare toke, drejtuese biznesesh, eksperte, menaxhere apo sipërmarrëse? Dhe, sa prej tyre mbeten jashtë tregut të punës, pavarësisht investimit disavjeçar në arsim? Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të grave në Kosovë.Në sallonin e së martës diskutuam pikërisht për këtë paradoks: “Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”. Sepse, problemi nuk është mungesa e grave në studime dhe në terren. Përkundrazi. Gratë janë aty. Janë në fakultet, janë në ferma, janë në vjelje, në përpunim dhe në shumë prej punëve teknike që mbajnë gjallë këtë sektor. Por, shumë më rrallë i gjejmë në menaxhim, në shitje, në pronësi, në vendimmarrje dhe në kontrollin e vlerës që krijohet. Andaj, këtu nëse ndalemi dhe pyesim: çfarë po ndodh ndërmjet diplomës dhe ekonomisë? Një pjesë e përgjigjes gjendet te hendeku mes arsimit dhe tregut të punës. Sot një studente mund të përfjë studimet në agronomi dhe të dalë nga fakulteti pa pasur përvojë të mjaftueshme praktike. Praktika profesionale nuk është e integruar në mënyrë të obligueshme dhe të strukturuar me industrinë, ndërsa universiteti dhe bizneset nuk po funksionojnë gjithmonë me një qëllim të përbashkët: përgatitjen e të rinjve për profesionet që realisht kërkohen në treg. Në anën tjetër, industria kërkon profile të specializuara, ndërsa arsimi jo gjithmonë arrin t’i ndjekë këto nevoja. Mungojnë edhe kapacitetet e mjaftueshme për hulumtim dhe inovacion. Zhvillimi i një instituti hulumtues në fushën e bujqësisë, me infrastrukturë të përshtatshme dhe me fokus në degë të ndryshme të agrikulturës, do të krijonte mundësi të reja për lidhjen e arsimit, kërkimit shkencor dhe sektorit ekonomik.Dhe, pastaj vjen momenti kur diploma duhet të kthehet në punë! Këtu shumë gra përballen me një tjetër pengesë. Ka agronome që nuk arrijnë të punësohen në profesionin e tyre dhe vazhdojnë studimet, ndërsa për disa të tjera periudha deri në punësim zgjatet edhe më shumë për shkak të krijimit të familjes. Kjo nuk është thjesht çështje e një karriere të vonuar. Është humbje e investimit në arsim dhe humbje e një pjese të kapitalit njerëzor që ekonomia e Kosovës ka nevojë ta përdorë. Megjithatë, edhe kur gratë janë në tregun e punës, pozita e tyre nuk është e njëjtë në të gjitha hallkat e zinxhirit ekonomik. Ato janë shumë të pranishme në vjelje dhe përpunim, por më pak në pozita menaxheriale dhe në shitje. Me fjalë të tjera, gratë janë pjesë e punës që krijon produktin, por më rrallë janë pjesë e vendimeve që përcaktojnë se si ai produkt shitet, sa vlen dhe si rritet biznesi!Në disa raste, edhe puna e tyre mbetet e padukshme. Gratë që angazhohen në vjelje dhe përpunim jo gjithmonë deklarohen nga bizneset si të punësuara. Kjo e ushqen ekonominë joformale dhe i privon gratë nga siguria dhe të drejtat që sjell punësimi formal. Një grua mund të jetë pjesë e një zinxhiri të tërë prodhimi, por në fund të ditës të mos figurojë askund në statistikat e punësimit. Një tjetër barrierë lidhet me pronësinë ku kemi pak gra që kanë tokë në pronësi të tyre, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për të investuar, për të aplikuar për kredi apo për të zhvilluar një aktivitet të pavarur ekonomik. Kur një grua nuk ka pronë, ajo shpesh nuk ka as kolateral. Kur nuk ka kolateral, qasja në kredi bëhet më e vështirë. Dhe, kur qasja në financim është e kufizuar, edhe ideja më e mirë e biznesit rrezikon të mbetet vetëm ide.Edhe skemat e mbështetjes publike kërkojnë më shumë vëmendje. Grantet mund të jenë një shtysë e rëndësishme për gratë, por mbështetja financiare nuk duhet të përfjë në momentin kur transferohen paratë. Duhet të ketë monitorim të qartë: çfarë u krijua me atë grant, sa vende pune u hapën, sa gra u punësuan, a u formalizuan ato, a u rrit biznesi dhe a vazhdoi aktiviteti pas përfundimit të mbështetjes. Ka edhe një paradoks tjetër që duhet trajtuar me kujdes. Disa gra që janë pjesë e skemave sociale mund të kenë frikë se një punësim formal do t’ua ndërpresë përfitimet që marrin. Nëse kalimi nga asistenca sociale në punësim perceptohet si rrezik financiar, atëherë sistemi, pa dashje, mund ta bëjë formalizimin më pak tërheqës. Për këtë arsye, politikat e punësimit dhe ato sociale duhet të mendojnë edhe për këtë tranzicion.Por, ndoshta problemi më i madh është mënyra se si e shohim bujqësinë. Ende nuk e shohim mjaftueshëm si një sektor ku gratë mund të ndërtojnë karrierë, të krijojnë inovacion dhe të zhvillojnë biznese. Dhe, kjo është një humbje, sepse potenciali tashmë ekziston.Në Kosovë ka gra që kanë krijuar mikrobiznese me produkte cilësore, kanë punësuar gra të tjera dhe kanë dëshmuar se bujqësia mund të jetë shumë më tepër sesa një aktivitet tradicional familjar. Këto gra nuk duhet të mbeten histori individuale suksesi. Ato duhet të shndërrohen në modele që vajzat e reja mund t’i shohin dhe t’i ndjekin. Për ta bërë këtë, na duhet një qasje më e lidhur. Universitetet duhet të punojnë më afër me bizneset. Praktika profesionale duhet të jetë pjesë reale e studimeve. Programet akademike duhet të reflektojnë më mirë nevojat e tregut. Duhet të investohet në hulumtim dhe inovacion, përfshirë infrastrukturën që mungon sot. Dhe, gratë në zonat rurale duhet të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar ide, mikrobiznese dhe startup-e, veçanërisht në fusha ku teknologjia dhe inovacioni mund të krijojnë vlerë të re. Kjo duhet të reflektohet edhe në politikat publike. Mbështetja për gratë në bujqësi nuk duhet të jetë vetëm një komponent i vogël brenda skemave ekzistuese të subvencionimit. Duhet të shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillim ekonomik, punësim rural, inovacion dhe fuqizim ekonomik të grave. Nuk mund të hartojmë politika të sakta nëse nuk dimë sa gra janë pronare toke, sa prej tyre kanë biznese, sa punojnë në mënyrë formale, sa marrin kredi e grante, në cilat hallka të zinxhirit të vlerës janë të përqendruara dhe ku ndodhen barrierat më të mëdha. Mungesa e hulumtimeve me bazë gjinore në këtë fushë e bën edhe më të vështirë krijimin e politikave që i përgjigjen realitetit.Dhe, mbi të gjitha, na duhet një ndryshim në perceptim. Bujqësia nuk duhet të shihet si një sektor ku gratë thjesht punojnë. Duhet të shihet si një sektor ku gratë investojnë, zotërojnë, inovojnë, menaxhojnë dhe krijojnë vende pune. Nëse një vajzë studion agronomi për katër apo pesë vjet, por pas diplomimit nuk gjen mundësi të përdorë dijen e saj, atëherë problemi nuk është te vajza. Nëse një grua punon në vjelje dhe përpunim, por puna e saj nuk deklarohet, problemi nuk është te mungesa e kontributit të saj. Nëse një sipërmarrëse ka një ide të mirë, por nuk mund të marrë kredi sepse nuk ka pronë në emër të saj, problemi nuk është mungesa e potencialit. Prandaj, fuqizimi ekonomik i grave në bujqësi nuk fillon dhe nuk përfn me një grant. Fillon shumë më herët: në klasë, në laborator, në praktikën profesionale dhe në mënyrën se si vajzat e shohin të ardhmen e tyre. Dhe, vazhdon me një treg pune që u jep mundësi, me banka që u japin qasje në financim, me politika që i mbështesin dhe me një ekonomi që e njeh punën e tyre. Gratë tashmë janë pjesë e bujqësisë së Kosovës. Sfida jonë është që ato të mos mbeten vetëm pjesë e punës, por të bëhen pjesë e pronësisë, inovacionit, vendimmarrjes dhe vlerës që ky sektor krijon.(Autorja është drejtoreshë ekzekutive e Demokracia për Zhvillim - D4D dhe anëtare e Forumit Ekonomik te Grave. Ky editorial është mbështetur nga projekti EREA - Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi, që zbatohet nga Caritas-i zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim - ADA, ndërsa implementohet nga Instituti Riinvest - Forumi Ekonomik i Grave. Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Caritas-it zviceran ose të Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim)