Pas protestave dhe premtimeve të pambajtura nga qeveria e Hristian Mickoskit, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut i janë drejtuar sërish institucioneve me kërkesën që provimet profesionale të organizohen edhe në gjuhën shqipe. Këtë të premte, ata dorëzuan një kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar që të merren masat e nevojshme për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. LEXO edhe...Ilir Yzeiri: Mbi antishqiptarinë e shqiptarëve Ndryshe nga kërkesat e mëparshme, këtë herë studentët nuk ndalen vetëm te provimi i jurisprudencës. Ata kërkojnë që edhe provimet për noter, përmbarues, si dhe provimet e tjera shtetërore, të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke argumentuar se kjo e drejtë parashikohet nga legjislacioni në fuqi. Nismëtari i kësaj iniciative, Mevlan Ademi, tha se studentët shqiptarë nuk mund të vazhdojnë të përballen me pengesa që, sipas tij, i vendosin në kushte të pabarabarta me kolegët e tyre. “Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet”, deklaroi Ademi. Në kërkesën drejtuar institucioneve, studentët kërkojnë që të ndërmerren menjëherë hapat administrativë për organizimin e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe. Ata theksojnë se kërkesa mbështetet në nenin 2 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe në dispozitat e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës. “Bazuar në nenin 2 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe konform dispozitave të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, ju drejtojmë këtë kërkesë për mundësimin e dhënies së provimeve të jurisprudencës, noterisë, përmbarimit, si dhe provimeve të tjera shtetërore edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në dokumentin e dorëzuar. Studentët kërkojnë gjithashtu që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, për aq kohë sa ai është në fuqi. Sipas tyre, është e papranueshme që studentët që ndjekin studimet në gjuhën shqipe të mos kenë të njëjtat mundësi si ata që studiojnë në gjuhën maqedonase. “Është e papranueshme që studentët të cilët studiojnë në gjuhën shqipe dhe i përkasin njërit prej popujve shtetformues të Republikës së Maqedonisë së Veriut të diskriminohen dhe të vendosen në kushte të pabarabarta në krahasim me kolegët e tyre që studiojnë në gjuhën maqedonase”, theksohet në kërkesë. Kjo është hera e radhës që studentët ngrejnë këtë çështje. Më herët ata kanë organizuar dy protesta, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa kanë akuzuar institucionet për zvarritje të zbatimit të premtimeve. Në muajin maj, çështja u shoqërua edhe me protesta në Shkup dhe Tiranë, të organizuara me moton “Gjuha shqipe nuk negociohet”. Studentë dhe qytetarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. U.D/ReportTv.al gjuha shqipe mevlan ademi shkup Maqedoni e Veriut Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 34.6% Jo 60.3% Nuk e di 5.1% Vota total: 2591 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?

