Lajme Zone
Strehoi 7 emigrantë nga Sudani dhe iu siguroi transportin në kufi, arrestohet pronari i hotelit në Tiranë (EMRI)
SportEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Strehoi 7 emigrantë nga Sudani dhe iu siguroi transportin në kufi, arrestohet pronari i hotelit në Tiranë (EMRI)

Një 66-vjeçar, pronar i një hoteli në Vaqarr të Tiranës, është arrestuar nga Policia Kufitare, pasi dyshohet se kishte strehuar dhe ndihmuar 7 emigrantë nga Sudani për të kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Një 66-vjeçar, pronar i një hoteli në Vaqarr të Tiranës, është arrestuar nga Policia Kufitare, pasi dyshohet se kishte strehuar dhe ndihmuar 7 emigrantë nga Sudani për të kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Operacioni policor, i koduar “Stafeta”, u finalizua nga Seksioni i Hetimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, në kuadër të hetimeve për një rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Në pranga u vu shtetasi Petrit Spaho, 66 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”. Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se 66-vjeçari kishte strehuar në hotelin e tij në Vaqarr disa shtetas të huaj, ndërsa më pas u kishte siguruar mjete transporti dhe i kishte nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe vijimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së. Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë vunë në ndjekje dy automjete taksi dhe, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Shkodër, bënë të mundur ndalimin e tyre. Në të dyja automjetet u gjetën 7 shtetas nga Sudani, të cilët po procedohen në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Në kuadër të hetimeve është referuar në Prokurori edhe rasti i një taksisti, shtetasi P. Gj., ndaj të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjatë operacionit, Policia sekuestroi si prova materiale dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë për armë gjahu, 7 telefona celularë, dy automjete taksi dhe librin e regjistrimit të klientëve të hotelit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.