Agjencia e vlerësimit të kreditit "S&P Global Ratings" ka konfirmuar vlerësimet sovrane të kreditit afatgjatë dhe afatshkurtër të Maqedonisë në "BB-/B", me një perspektivë të qëndrueshme, njoftoi agjencia.Vendimi, sipas "S&P", bazohet në vlerësimin se perspektiva ekonomike, niveli i moderuar i borxhit publik dhe kostot e menaxhueshme për shërbimin e tij kompensojnë kryesisht rreziqet që lidhen me deficitet e larta buxhetore. "Ne presim që projektet e mëdha të infrastrukturës dhe konsumi i fortë të mbështesin rritjen ekonomike prej rreth 3.6 përqind në vitin 2026 dhe 2027, pavarësisht pasojave të mundshme ekonomike të luftës në Lindjen e Mesme", thuhet në raportin e "S&P".Agjencia vlerëson se rritja e investimeve publike do të kontribuojë në rritje, por në të njëjtën kohë do të ndikojë në rritjen e borxhit neto qeveritar me rreth 5 përqind të BPV-së në vitin 2026.Megjithatë, deficiti buxhetor pritet të ulet gradualisht deri në vitin 2029."S&P" gjithashtu tregon rreziqet e mundshme që mund të çojnë në një ulje të vlerësimit. Kjo do të ndodhte nëse treguesit fiskalë ose të jashtëm përkeqësohen ndjeshëm, për shembull nëse rënia e rezervave valutore krijon presion mbi stabilitetin e denarit kundrejt euros ose nëse devijimet e vazhdueshme të buxhetit çojnë në rritje të shpejtë të borxhit.Nga ana tjetër, një vlerësim më i mirë i kreditit mund të vijë pas forcimit afatgjatë të institucioneve, zbatimit të reformave që stimulojnë rritjen ekonomike, përparimit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ose një uljeje të përhershme të borxhit publik neto me një rritje më të fortë ekonomike./Telegrafi/

