SHBA-ja rikonfirmoi mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in, çka u bë e qartë nga takimi që e dërguara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, pati me komandantin e tij, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet ta përfjë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm. Në njoftimin e ambasadës tregohet se biseda ka pasur në qendër të saj rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Kosovë. Prattipati e ka falënderuar Ulutashin për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur misionin e KFOR-it, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në deklaratë. Ulutash është komandant i KFOR-it që nga tetori i vitit 2023 dhe pritet që muajin e ardhshëm t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij. Disa ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti ofertën e tij që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane.
Kurti këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me kongresmenin demokrat, George Latimer, me të cilin bisedoi edhe për aspiratën e Kosovës që një ditë të bëhet pjesë e NATO-s. Në tetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës njoftoi se i kishte ofruar Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë. Top Channel

