Lajme Zone
SPAK ngre alarmin për lidhjen krim–terrorizëm/ Në lupë paratë e drogës, kriptot, “hawala” dhe OJF-të
PolitikëPamfleti

SPAK ngre alarmin për lidhjen krim–terrorizëm/ Në lupë paratë e drogës, kriptot, “hawala” dhe OJF-të

Udhëzimi nr. 21570, i firmosur pak kohë më parë nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho dhe i siguruar nga "Pamfleti", synon unifikimin e praktikës së ndjekjes penale dhe forcimin e hetimeve për financimin e terrorizmit, në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare të FATF dhe MONEYVAL.

Foto ilustruese Udhëzimi i ri i firmosur nga Klodjan Braho e konsideron lidhjen mes krimit të organizuar dhe financimit të terrorizmit një rrezik të njohur në Ballkanin Perëndimor. Prokurorët do të gjurmojnë cash-in, transfertat jashtë vendit, kriptoasetet, bamirësitë dhe financimet online SPAK vendos nën lupë paratë që mund të lidhin krimin e organizuar me financimin e terrorizmit. Një udhëzim i ri i Prokurorisë së Posaçme përcakton në detaje mënyrën se si prokurorët, BKH-ja dhe hetuesit financiarë duhet të identifikojnë dhe hetojnë flukset e dyshimta financiare, duke futur në radar nga paratë e drogës dhe cash-i i pashpjeguar, te kriptoasetet, OJF-të, transfertat ndërkombëtare dhe mbledhja e fondeve në internet.

Udhëzimi nr. 21570, i firmosur pak kohë më parë nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho dhe i siguruar nga "Pamfleti", synon unifikimin e praktikës së ndjekjes penale dhe forcimin e hetimeve për financimin e terrorizmit, në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare të FATF dhe MONEYVAL.

Një ndër pikat më të forta të dokumentit lidhet pikërisht me ndërthurjen mes krimit të organizuar dhe terrorizmit. SPAK evidenton se kjo lidhje përbën një rrezik të njohur për Ballkanin Perëndimor dhe kërkon hetimin e flukseve financiare mes individëve apo subjekteve të lidhura me krimin e organizuar dhe personave ose grupeve me interes për sigurinë.

Në fokus vendosen edhe paratë e gjeneruara nga aktivitetet kriminale. Dokumenti përmend shprehimisht mundësinë e përdorimit të produkteve të veprave penale, përfshirë të ardhurat nga trafikimi i drogës, mashtrimi apo krime të tjera të rënda, për financimin e aktiviteteve me qëllime të mundshme terroriste. Po ashtu, si sinjal rreziku konsiderohet shfrytëzimi i infrastrukturës së ngritur nga krimi i organizuar, përfshirë rrjetet logjistike, mekanizmat e pastrimit të parave dhe kanalet informale të transferimit të fondeve. Udhëzimi i Klodjan Brahos Por radari i SPAK nuk ndalet te paratë e krimit. Udhëzimi rendit një seri rastesh që duhet të trajtohen me përparësi: transfertat drejt ose nga juridiksione me rrezik të lartë, financimin e udhëtimeve të personave të lidhur me grupe të radikalizuara apo rrjete të luftëtarëve të huaj terroristë, keqpërdorimin e organizatave bamirëse dhe OJF-ve, sistemet informale të tipit “hawala”, remituesit e palicencuar, transaksionet me kriptoasete dhe lëvizjet e pashpjeguara të cash-it.

Një kapitull i posaçëm i kushtohet OJF-ve dhe organizatave bamirëse. SPAK kërkon vëmendje të shtuar për organizatat që mbledhin ose shpërndajnë fonde për qëllime bamirëse, fetare, kulturore, arsimore apo sociale, kur ato marrin financime nga vende me rrezik të lartë ose nga burime që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Në radar futen gjithashtu OJF-të që mund të kenë lidhje me luftëtarë të huaj terroristë të riatdhesuar, familjarët e tyre apo individë të lidhur me rrjete ekstremiste, si dhe rastet kur ka mospërputhje të konsiderueshme mes qëllimeve të deklaruara të organizatës dhe lëvizjeve reale të parave. Veçanërisht shqetësuese konsiderohen rastet kur fondet kanalizohen drejt individëve dhe jo drejt institucioneve apo përfituesve të strukturuar.

Megjithatë, dokumenti bën një saktësim të rëndësishëm: prania e një treguesi të vetëm nuk është e mjaftueshme për të provuar financimin e terrorizmit. Sinjalet duhet të analizohen së bashku dhe në kontekst me të dhëna të tjera financiare, të sjelljes, digjitale dhe të inteligjencës.

Një tjetër front i hetimeve do të jetë bota digjitale. SPAK rendit si tregues përdorimin e kriptoaseteve, portofoleve virtuale, platformave “peer-to-peer”, crowdfunding-ut, instrumenteve të parapaguara, madje edhe aplikacioneve gaming dhe streaming, kur ato përdoren për të fshehur burimin, destinacionin apo qëllimin e fondeve.

Vëmendje do t'u kushtohet edhe transfertave të shumta me vlera të vogla nga persona të ndryshëm, sidomos kur shoqërohen me kërkesa online për donacione, narrativa ekstremiste apo mbështetje për persona dhe grupe me ideologji ekstremiste. Edhe përdorimi i profileve anonime, aplikacioneve të koduara të komunikimit dhe kartave të shumta SIM mund të marrë rëndësi hetimore kur kombinohet me tregues të tjerë.

Udhëzimi sjell edhe një element të rëndësishëm për mënyrën se si do të ndërtohen çështjet penale. Prokurorëve u kërkohet të mos ngurrojnë të procedojnë për financim terrorizmi vetëm sepse paratë nuk kanë arritur në destinacionin e synuar apo sepse nuk ka prova për një akt konkret terrorist të planifikuar.

Sipas dokumentit, financimi i terrorizmit është vepër penale autonome dhe mund të konsiderohet e kryer që në mbledhjen, sigurimin apo vënien në dispozicion të fondeve, kur provohet qëllimi ose dijenia se ato do të përdoren për qëllime terroriste. Kur mungojnë provat e drejtpërdrejta, qëllimi ose dijenia mund të provohen edhe nëpërmjet një kombinimi të rrethanave objektive dhe provave rrethanore.

Hetimi nuk do të kufizohet vetëm te personi i dyshuar. Për çdo çështje financimi terrorizmi parashikohet përgatitja, në masën që e lejojnë të dhënat, e një profili financiar të personit nën hetim dhe, kur është e nevojshme, edhe të personave, kompanive apo organizatave të lidhura me të. Në analizë mund të futen të ardhurat, dhurimet, shpenzimet, cash-i, udhëtimet, personat e tretë që mbajnë apo transferojnë para, llogaritë bankare, kriptoasetet dhe mekanizmat informalë të transferimit.

SPAK parashikon gjithashtu goditjen e pasurive që lidhen me financimin e terrorizmit. Sekuestrimi dhe më pas konfiskimi mund të kërkohen për fondet dhe pasuritë e përdorura ose të destinuara për financim, edhe kur kanë origjinë të ligjshme. Në listën e mjeteve që mund të preken nga masat pasurore përfshihen llogaritë bankare, instrumentet e pagesave, portofolet e kriptoaseteve, pajisjet elektronike, mjetet e komunikimit dhe kartat SIM të përdorura për mbledhjen, transferimin apo fshehjen e fondeve.

Për të ndjekur gjurmët e parave, SPAK parashikon koordinim me BKH-në, Drejtorinë kundër Terrorizmit në Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, SHISH-in, Doganat dhe Tatimet. Në rastet me element ndërkombëtar do të aktivizohen edhe kanalet e Eurojust, Europol, INTERPOL dhe strukturave të tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Udhëzimi i ri tregon kështu një zhvendosje të fortë të vëmendjes drejt gjurmës financiare: jo vetëm kush mund të jetë i lidhur me një aktivitet terrorist, por kush mbledh paratë, nga vijnë ato, përmes kujt kalojnë dhe ku synojnë të përfjnë. Dhe në këtë hartë të re hetimore, SPAK vendos në të njëjtin radar cash-in, kriptot, OJF-të, financimet online dhe, mbi të gjitha, kanalet financiare e logjistike të krimit të organizuar. /Pamfletibraho terrorizmi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet “Arrestoni Ramën, lironi qytetarët”, protestuesit marshojnë drejt Bllokut të Sigurisë 2 Shtator 2026, 21:0621:06Aktualitet “Pa rini nuk ka Shqipëri!”/ Studentët zbresin në shesh, mbështesin revoltën qytetare 2 Shtator 2026, 20:5820:58Aktualitet “Policia gaboi që vuri dorë mbi qytetarët”, aktivisti: Nuk të lëmë të tallesh me ne! 2 Shtator 2026, 20:5320:53Aktualitet Nga Amerika Latine te Shqipëria, si DEA po ndërton frontin global kundër narkotrafikut 2 Shtator 2026, 20:4320:43Aktualitet “Dje u detyrua të ikë si mi”, protestuesi sfidon Ramën: Të largohet me avion e të mos kthehet më 2 Shtator 2026, 20:3620:36Aktualitet "Bandë hajdutësh që kanë marrë peng shtetin", qytetari-Ramës: Nuk je kryeministri ynë! 2 Shtator 2026, 20:2820:28Aktualitet