Lajme Zone
SPAK dërgon për gjykim 16 shtetas, pjesë e organizatës kriminale Çela-Çopja
Të tjeraCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

SPAK dërgon për gjykim 16 shtetas, pjesë e organizatës kriminale Çela-Çopja

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 16 shtetas, të ...

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 16 shtetas, të pandehur për pjesëmarrje në organizatën kriminale të trafikimit ndërkombëtar të kokainës Çela dhe Çopja.

Siç bëhet me dije përmes njoftimit zyrtar të SPAK-ut, në gjykim dërgohet shtetasit: Ervis Çela, Franc Gergely (alias Franc Çopja), Fadil Balla (alias Julian Balla), Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos (alias Petrit Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Soni Pepa (alias Vilson Pepa), Albin Çela, Elidon Çela, Denis Daja, Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale”.

Njoftimi i plotë: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfi hetimet dhe ka dërguar më 5.11.2026, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, në ngarkim të 16 të pandehurve:

– Ervis Çela, Franc Gergely (alias Franc Çopja), Fadil Balla (alias Julian Balla), Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos (alias Petrit Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Soni Pepa (alias Vilson Pepa) – të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/1 dhe 334 (paragrafi 1) të Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, parashikuar nga nenet 287/1, germat “a”, “b” dhe 28/1 të Kodit Penal, “Organizata kriminale”, në formën e organizimit, parashikuar nga neni 333, (paragrafi 1) i Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.

– Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja, të akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, parashikuar nga nenet 287/1, gërmat “a”, “b” dhe 28/1 të Kodit Penal; “Organizatë kriminale”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333, paragrafi 2 i Kodit Penal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.

– Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla, të akuzuar për veprat penale të “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 287/1, germat “a”, “b” dhe 25 të Kodit Penal.

– Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim shtetasit Riza Çela dhe Albin Çela edhe për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, e kryer në bashkëpunim për qëllime fitimi, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal.

Struktura dhe veprimtaria e organizatës kriminale

Nga analiza e të dhënave hetimore të administruara në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, përfshirë komunikimet e përftuara përmes platformave të enkriptuara SkyECC, dhe EncroChat si dhe provat e tjera të administruara gjatë hetimit, paraqesin të dhëna që mbështesin ekzistencën dhe funksionimin e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, të përfshirë në organizimin, koordinimin dhe realizimin e trafikimit të sasive të konsiderueshme të kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt tregjeve europiane.

Organiza përfshin të paktën 16 persona të identifikuar dhe shumë të tjerë, të paidentifikuar. Struktura paraqitet e organizuar në mënyrë vertikale, me marrëdhënie bashkëpunimi dhe lidhje të konsoliduara me grupe dhe organizata kriminale në Paraguaj dhe Brazil dhe ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se dy shtetasit shqiptarë, Franc Gergely, i arrestuar në Belgjikë, dhe Ervis Çela, i arrestuar në Shqipëri në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, kanë ushtruar funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë kriminale me përmasa ndërkombëtare.

Të dhënat e administruara tregojnë se kjo strukturë dispononte kapacitete për të kontrolluar dhe koordinuar hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikimit të narkotikëve, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi dhe transportimi i saj, deri te shpërndarja në disa shtete të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Qarkullimi i përfitimeve financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike realizohej në mënyrë të strukturuar, përmes një rrjeti ndërkombëtar, i cili përdorete mekanizma informalë të transferimit të vlerave monetare, si Hawala dhe mekanizmi i identifikimit me token.

Veprimtaria e kësaj strukture shtrihej në disa shtete dhe mbështetej në marrëdhënie bashkëpunimi, kontakte të konsoliduara dhe ndarje funksionale të detyrave mes personave të përfshirë, pjesë e hallkave të zinxhirit të trafikimit. Ajo fokusohej në sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimin e blerjes dhe transportit të saj, organizimin e lëvizjes nga zonat e prodhimit drejt pikave të grumbullimit dhe porteve të nisjes, përgatitjen dhe kamuflimin e ngarkesave në mallra të ligjshme, organizimin e transportit detar drejt Evropës, si dhe koordinimin e pritjes, nxjerrjes nga portet, magazinimin, shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në tregjet evropiane.

Paralelisht me këto procese rezultojnë të dhëna për përdorimin e mekanizmave të posaçëm për financimin e aktivitetit, administrimin e të ardhurave dhe transferimin e fondeve mesvendeve të ndryshme. Në këtë kuadër përmenden mekanizma të transferimit informal të vlerave, përfshirë sistemin Hawala, si dhe përdorimi i kodeve identifikuese ose token-ëve për koordinimin dhe verifikimin e dorëzimit dhe marrjes së shumave monetare.

Shtrirja ndërkombëtare, kohëzgjatja dhe përsëritja e episodeve të trafikimit, së bashku me përdorimin e strukturave të posaçme logjistike dhe financiare, dëshmojnë për një veprimtari të organizuar dhe të vazhdueshme, të mbështetur në bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet personave të përfshirë dhe në një ndarje të qartë të roleve dhe përgjegjësive

.Nga analiza e komunikimeve të administruara në platformën e enkriptuar SkyECC, të disponueshme që prej datës 29.11.2019, si dhe e materialeve fotografike të shkëmbyera ndërmjet Ervis Çelës, Franc Gergely-t dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, janë evidentuar të dhëna që lidhen me organizimin dhe realizimin e trafikimit të lëndëve narkotike. Komunikimet, në gjuhën shqipe dhe spanjolle, përmbajnë referenca mbi dërgimin, marrjen, sasitë dhe transportimin e kokainës, përfshirë fshehjen e saj në ngarkesa me produkte të ligjshme që eksportoheshin nga Paraguaj drejt Europës.

Gjithashtu, janë identifikuar komunikime dhe materiale fotografike që lidhen me qarkullimin e shumave monetare, përdorimin e sistemit informal të transferimit të parave “Hawala” dhe kodeve identifikuese “token”, si dhe përmes shoqërive tregtare që ushtrojnë aktivitet importi dhe eksporti të produkteve të ligjshme.Në komunikime gjenden referenca për kompanitë, produktet, dërgesat, dokumentacionib tregtar dhe organizimin të transportit.

Fotografitë e shkëmbyera tregojnë produkte të ligjshme, të cilat, në kontekstin e bisedave, paraqiten si pjesë e mekanizmit të transportimit dhe kamuflimit të ngarkesave./CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.