Juristi Kreshnik Spahiu ka rrëfyer detaje nga vrasja e Azem Hajdarit në vitin 1998, e cila u pasua me një grusht shteti të dështuar të organizuar nga Partia Demokratike në datat 13 dhe 14 shtator. Në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se vrasja e Azem Hajdarit ishte e paralajmëruar, pasi më parë ndaj tij ishte bërë edhe një atentat. LEXO edhe...Pse u mbyll dosja ‘14 shtatori’? Avokati Beqiri: Çështjen e pushuan gjyqtarët e Berishës me në krye Gjin Gjonin! Prokuroria e çoi çështjen si ‘kryengritje të armatosur’ Ai tregoi edhe për raportin e afërt që kishte me Azemin, teksa shtoi se në vrasjen e deputetit demokrat u përfshinë drejtues të lartë Policie. Kjo sipas Spahiut tregonte implikimin e Partisë Socialiste në vrasjen e Hajdarit. “Unë jam dëshmitar i asaj vrasje. Azem Hajdari ka qenë shoku im i fakultetit, miku im, bashkëpunëtori im, kemi qëndruar pranë, kam pasur dijeni për atentatin që do të zhvillohej. Një muaj më parë i ishte bërë atentat në Tropojë. Më pas është pasur dijeni dy ditë më parë se persona që zhvilluan atentatin kishin ardhur për ta organizuar. Kam biseduar me Azem Hajdarin 30 minuta para se të mbërrinte në Tiranë në telefon. Dhe pavarësisht nga bindjet politike, unë jam njeri që qëndroj edhe pas shumë vitesh korrekt në miqësinë apo të vërtetat e ngjarjes. Një javë para se të vritej Azem Hajdari, kam qenë edhe në një drekë me një personazh tjetër, të tre së bashku, me Ahmet Krasniqin, ish-ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, të qeverisë në mërgim të Rugovës, i cili është vrarë dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe ai ka qenë muaji më famëkeq i dy vrasjeve politike në Tiranë”, tha mes të tjerash Spahiu. Më tej Spahiu tha se kishte qenë dëshmitar edhe i grushtit të dështuar të shtetit në 14 shtator, ngjarje për të cilat bëri fajtore PD-në dhe kryetarin e saj Sali Berishën. Duke e cilësuar këtë si një ngjarje të errët, Spahiu tha se ishte ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit që i kërkoi Sali Berishës dhe PD-së që të tërhiqej nga grushti i shtetit, duke e ‘kërcënuar’ se SHBA nuk do e njihnin marrjen e pushtetit me dhunë. “Më pas kam qenë dëshmitar sesi u organizua grushti i shtetit, arsyet pse u organizua, deri në mbrojtjen ligjore në Gjykatë të disa prej të pandehurve, për të cilët nuk u provua dhe nuk u faktua dot që ishin pjesë e organizimit të grushtit të shtetit. Është një ngjarje e errët. Më pas kam biseduar edhe me ndihmës/sekretaren e Shtetit që i kërkoi PD-së dhe kryetarit të PD-së që të tërhiqej, sepse nuk do të njihte një pushtet të marrë me dhunë. Mos të harrojmë që është vrarë një zyrtar kaq i lartë para zyrave të një partie dhe është vrarë nga drejtues policie. Sigurisht që marrja e pushtetit me dhunë është e papranueshme, ashtu siç janë edhe vrasjet politike të papranueshme. Të dy ngjarje të errëta që nuk duhen përsëritur”, shtoi Spahiu. Në datat 13 dhe 14 shtator 1998, duke përfituar nga ceremonia mortore e ishdeputetit Azem Hajdari, Partia Demokratike dhe kryetari Sali Berisha, organizuan një kryengritje të armatosur, me qëllim përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues në Shqipëri. Berisha dhe persona të tjerë kanë bërë thirrje për përdorimin e dhunës, kanë nxitur qytetarë të ndryshëm për armatosjen e tyre, me synim pushtimin me forcë të rezidencave qeveritare dhe Radio Televizionit Shqiptar. Gjatë tubimeve të dhunshme, u kryen një sërë plaçkitjesh në rezidencat kryesore të shtetit, si dhe u goditën me armë zjarri forcat e Policisë dhe Gardës, si dhe zyrtarët që punonin në këto institucione, një pjesë e të cilëve u keqtrajtuan edhe fizikisht. Ora 22:55 Spahiu: Vrasja politike e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit lidhen me armatimin për çlirimin e Kosovës Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se vrasja e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit lidhen me armatimin për çlirimin e Kosovës, të dërguar nga Shqipëria.Në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se PD dhe PS mbështesnin dy fraksione të ndryshme që ishin krijuar për çlirimin e Kosovës, respektivisht FARK dhe UÇK.“Kur të dy palët implikoheshin në një proces penal, ishin të interesuara që dosja të mos zbardhej. Të ngjarjet e 12 apo 14 shtatorit të dyja palët janë të implikuara. Njëra palë ishte e implikuar për vrasjen, tjetra për grushtin e shtetit. Është shumë e vërtetë që në atë kohë palët ishin të ndara. Liderët e PD-së ishin të lidhur me qeverinë e Rugovës dhe Qeverinë në azil të drejtuar nga Bujar Bukoshi dhe që kishin ministër të Mbrojtjes Ahmet Krasniqin. FARK-u që ishte ushtria e qeverisë në mërgim po tentonte që të armatosej njëkohësisht njësoj si UÇK. UÇK ishte e lidhur me socialistët dhe segmentet e PS. Në atë periudhë Shqipëria e përfshirë në furnizimin me armë dhe mbështetjen për çlirimin e Kosovës. Nuk është e rastit që pas 30 vitesh po hetohen vrasje të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Nëse duam ne sot pas 30 vitesh që të kemi një qartësi politike për ngjarjet, duhet të kuptojmë se në ato dy vrasje kemi të përfshirë të njëjtin grup. Pra këta kanë qenë target për të njëjtat arsye”, tha mes të tjerash Spahiu. Share R.Xh/E.H/ReportTv.al repolitix vrasja e azem hajdarit PD sali berisha grushti i shtetit 1998 azem hajdari Kreshnik Spahiu Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.8% Magjistratëve 15.3% Nuk e di 5.8% Vota total: 8294 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?
