Sot në orën 13:00 do të hidhet shorti i fazës së ligës së Conference League për sezonin 2026/27, një moment i veçantë për futbollin shqiptar, por mbi të gjitha për Egnatian. Skuadra nga Rrogozhina do të jetë pjesë e kësaj faze të kompeticionit europian, duke regjistruar një tjetër moment historik në këtë epokë të klubit. Egnatia do të jetë pjesë e shortit në vazon e gjashtë, së bashku me Thun, CSKA Sofia, Kauno Žalgiris, Mjällby dhe Iberia Tbilisi. Përballë skuadrës rrogozhinase mund të vijnë emra të njohur të futbollit europian, pasi në vazot e tjera ndodhen skuadra me një histori dhe eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare.
Për klubin rrogozhinas kjo është një arritje historike, por suksesi merr një rëndësi edhe më të madhe për futbollin shqiptar. Hera e fundit që një skuadër shqiptare ishte pjesë e kësaj faze të një kompeticioni europian ishte Skënderbeu, afro një dekadë më parë.
Tashmë, Egnatia ka mundësinë të rikthejë Shqipërinë në një fazë të rëndësishme të futbollit europian dhe të përballet me skuadra të njohura të kontinentit.
Shorti do të përcaktojë rrugëtimin e Egnatias në fazën e ligës, ndërsa vëmendja është e gjitha te kundërshtarët që do të rezervojë goglat për skuadrën nga Rrogozhina. Përballjet ndaj ekipeve të nivelit të lartë europian do të jenë një mundësi e rëndësishme për Egnatian për të matur forcat në një tjetër nivel dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e saj.
Kur do të zhvillohen ndeshjet?
Faza e ligës së Conference League do të zhvillohet në gjashtë javë. Egnatia do ta nisë aventurën më 15 tetor, kur është programuar java e parë, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet më 22 tetor.
Më pas, ndeshjet do të vijojnë më 5 nëntor për javën e tretë, më 26 nëntor për javën e katërt, më 10 dhjetor për javën e pestë dhe më 17 dhjetor do të zhvillohet java e gjashtë dhe e fundit e fazës së ligës.
Tashmë mbetet vetëm shorti për të zbuluar kundërshtarët e Egnatias dhe për të nisur zyrtarisht një prej aventurave më të mëdha europiane në historinë e klubit rrogozhinas. Top Channel

