Rasti i videove intime të Adi Hilës dhe disa personazheve femra të artit në vend ka nxjerrë në pah, sipas ekspertëve, tri probleme të shoqërisë shqiptare: gjykimin publik dhe ekspozimin e grave të përfshira, mundësinë e abuzimit me pozitën për favore dhe pasigurinë përballë teknologjisë që përdorim edhe në ambientet më private. Për këtë çështje diskutuan në emisionin “Studio Live” në Report TV sociologu Gëzim Tushi, aktivistja Zhaklin Lekatari dhe ekspertja e sigurisë Denisa Kele. LEXO edhe...Skandali i videove intime me artiste, këngëtarja Aurela Gaçe: Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet! Do marr masa ligjore Sociologu Gëzim Tushi kritikoi faktin që histeria publike është drejtuar në mënyrë të veçantë ndaj grave. “Problemi është mënyra si zhvillohet ky debat. A i shërben përmirësimit të standardeve morale të shoqërisë apo shërbeu si mjet degradues të opinionit publik. Shigjetat u treguan në mënyrë të ashpër mbi gratë e jetës publike. Më bën përshtypje fakti që shoqëria shqiptare ka qejf që rrobat e palara t'i nxjerrë në ballkon që t'i shikojnë të gjithë. Reagimi i opinionit publik duhej të ishte më i kujdesshëm. Nuk është fjala për ndërhyrjen e shtetit dhe policisë. Shteti s'ka detyrë të merret me çfarë bëjnë njerëzit me organet e tyre gjenitale. Trupi dhe seksi janë pronë private të njeriut. Është shkelje e privatësisë së njeriut, trupore, mendore, psikologjike dhe vendimmarrëse”, u shpreh Tushi. Por sociologu tha se përtej cenimit të privatësisë, rasti ngre edhe një problem tjetër shoqëror, atë të përdorimit të pozitës për të siguruar favore seksuale. Sipas tij, në raste të tilla përgjegjësia duhet kërkuar te personat që përdorin pozitën e tyre, jo te gratë që gjenden në një raport të tillë. “Ngjarja ngre probleme se me të vërtetë është çështje private, por prapa saj fshihet një fenomen i rëndë social, tentativa për të arritur suksesin me çdo kusht, për t'u pasuruar me forma të tilla që janë forma të hapura apo të maskuara të prostitucionit. Është kultivuar një ndjenjë e privilegjit seksual për njerëzit që kanë poste të rëndësishme publike dhe e shfrytëzojnë atë për të siguruar favore seksuale. Vajzat dhe gratë që bien në këtë pozitë janë thjesht viktima. Shoqëria shqiptare duhet të kuptojë që jeta private është sovrane. Të rinjtë e sotëm duhet të mësojnë kufirin e asaj që lejohet dhe asaj që jo, ata që krijojnë privilegje seksuale nëpërmjet posteve publike. Kjo është një plagë shumë serioze për shoqërinë. Njerëz që duan të krijojnë trofe seksuale është kriminale. Ata që janë përgjegjës janë ata që mbajnë poste publike në Shqipëri”, shtoi ai. Aktivistja Zhaklin Lekatari e lidhi reagimin e fortë që shkaktoi publikimi i videove me mungesën e edukimit seksual në shoqërinë shqiptare. Sipas saj, nëse ky edukim do të ishte pjesë e shkollës dhe e informimit të vazhdueshëm, ngjarja nuk do të kishte prodhuar të njëjtin “alarm moral”. “Nëse edukimi seksual do ishte pjesë e informimit dhe edukimit në shkolla e kurrikula dhe në periudhën e pas shkollës nuk do të ishim kaq të tronditur, ose i gjithë ky alarm moral nuk do të kishte prodhuar kaq sensacion e ndoshta vëmendja e viteve të fundit do kishte qenë mbi tema që janë më të rëndësishme. Ne mund të shqetësohemi nëse vërtetohet që ka abuzim me besimin apo konflikt interesi apo një abuzim të meritokracisë duke lehtësuar rrugëtimin dhe zhvillimin e disa individëve. Edhe pse situata duket e rëndë është mirë që të bëjmë debate të tilla në shoqëri”, tha Lekatari. Ndërsa ekspertja e sigurisë Denisa Kele tha se vëmendja e publikut është përqendruar te identiteti i personave në video, duke lënë në plan të dytë një tjetër problem: sigurinë e teknologjisë që përdoret brenda ambienteve private. Sipas saj, rasti duhet të shërbejë si alarm për nivelin e sigurisë së pajisjeve që përdoren brenda shtëpive dhe për materialet private që mund të ruhen në to. Por dobësia, sipas ekspertes, nuk qëndron vetëm te pajisjet. Kele tha se shqiptarët kanë pak njohuri për sigurinë teknologjike, madje 80% e tyre përdorin fjalëkalime që i ndërrojnë rrallë e që mund të hakerohen shumë lehtë. “Përpos histerizmit që ka kaluar shoqërinë për emrat e personazheve në video, nuk po fokusohemi te siguria. Ne jemi të pasigurt përballë kësaj teknologjie të avancuar. Shqiptarët kanë njohuri të pakta teknologjike. Kamera ishte vendosur vetëm për qëllime regjistrimi dhe jo për arsye sigurie. Kamerat e sigurisë vendosen në cepat e shtëpisë. Ajo ishte me pamje direkte te krevat. Një pjesë shumë e madhe e kamerave në Shqipëri janë kineze dhe nuk kushtojnë shumë. Mua më bën të mendoj që është një sulm i centralizuar i serverëve të kompanisë. Nëse kompania ka prodhuar kamera në gjithë botën dhe çdo lloj materiali nga kamerat e kësaj kompanie kanë pasur mundësi ta marrin, ose një sulm në cloud ose passëord-i i dobët që shqiptarët nuk e ndërrojnë shpesh. 80% e shqiptarëve kanë passëord-e të hakerueshme”, tha Kele. U.D/ReportTv.al gezim tushi zhaklin lekatari Denisa Kele adi hila studio live video intime Komento Komente Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 72.3% Jo 23% Jam i/e dyzyuar 4.7% Vota total: 1701 Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?

