Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur përgjegjësinë politike të tij me zhvillimet e fundit rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Në një deklaratë të gjatë, referuar fjalimit që Rama mbajti pasi u kthye nga SHBA-ja, Bardhi akuzoi kryeministrin se ka shmangur përgjegjësinë politike për zhvillimet në institucionet shtetërore.
“Alibia e Edi Ramës ka rënë”, deklaroi Bardhi, duke kërkuar nga kryeministri të japë përgjigje se kush e propozoi dhe e mbështeti Hysenin për postin në krye të SHISH.
Bardhi ngriti një sërë pyetjesh ndaj Ramës lidhur me emërimin e Hysenit dhe me akuzat e bëra publike në kuadër të hetimit. Ai deklaroi se opozita kishte ngritur më herët shqetësime për raportet e saj me persona të lidhur me hetimet.
Në fund, kreu i grupit të PD-së i dha një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit. “Edi Rama, dil dhe jep llogari. Boll u fshehe pas kamerës tënde”, deklaroi Bardhi.
PJESË NGA DEKLARATA:
Edi Rama iu tha shqiptarëve se asgjë jonormale nuk ka ndodhur: se AKSHI apo SHISH-I; Gysi, Mirlinda, apo Vlora; janë një kapitull normal i Shqipërisë së tij imagjinare europiane dhe se fajin për gjithçka që po ndodh në vend e ka drejtësia që heton veprimtarinë e qeverisë, opozita që e denoncon atë dhe mediat që e pasqyrojnë.
Për ata që akuzohen për këto veprime, përfshirë edhe vetë atë, na këshilloi t'i prezumojmë të pafajshëm dhe t'i trajtojmë me dinjitet e humanizëm. Në të njëjtin fjalim ku na kërkonte të prezumonim si të pafajshëm Vlorën, Belindën, Lindën, Ergysin, Veliajn e të tjerë, edhe pse për to janë bërë publike prova dhe fakte të zbuluara nga prokuroria, vetes i lejoi të konsiderojë të fajshëm dhe madje shpalli akuza publike ndaj dy televizioneve që nuk i kontrollon dot politikisht, duke i akuzuar, pa paraqitur asnjë fakt për pastrim parash apo evazion.
E vërteta është se, as njëri televizion dhe as tjetri nuk rezulton nga ndonjë hetim i prokurorisë të jetë financuar me para nga korrupsioni, krimi apo fshehja e të ardhurave. Janë televizione të tjera ato që figurojnë në çdo hetim korrupsioni e krimit të SPAK, por Edi Rama zgjodhi të heshtë sepse ato i shërbejnë si zyra propagande.
Në të njëjtin fjalim ku na kërkonte të prezumonim si të pafajshëm Vlorën, Belindën, Lindën, Ergysin, Veliajn e të tjerë, edhe pse për to janë bërë publike prova dhe fakte të zbuluara nga prokuroria, vetes i lejoi të konsiderojë të fajshëm dhe madje shpalli akuza publike ndaj liderëve të opozitës, duke na kujtuar urdhrin që lëshoi nga Kongresi i Partisë Socialiste për arrestimin apo përndjekjen gjyqësore ndaj Liderëve të Opozitës. Ti tregosh SHBA dhe BE drejtësinë e Noc Rrokut, do me thënë të jesh tërësisht mosmirënjohës për ndihmën e vyer që SHBA dhe BE kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve për sistemin e drejtësisë në vend, duke shpenzuar miliona euro apo dollarë të taksapaguesve të tyre. Pa ndihëm e tyre, Edi Rama do ta kishte tërësisht nën kontroll sistemin e drejtësisë.
Dje ishte dita kur Edi Rama duhet të jepte llogari se përse, në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, propozoi dhe përzgjodhi një person që ishte njohje e tij personale, pa asnjë lidhje dhe asnjë kontribut të njohur në Republikën e Shqipërisë. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush e loboi më pas për postin më të lartë të institucioneve të sigurisë në vend? Kush mban përgjegjësinë që në krye të SHISH-it ishte një njeri që, sipas akuzave të bëra publike, bashkëpunonte me persona të arratisur nga drejtësia apo u jepte informacione të klasifikuara organizatave kriminale në vend? Kush dhe si u përzgjodh Vlora Hyseni në krye të SHISH-it? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër? Kush e mban përgjegjësinë nëse operacione të Shërbimit Informativ të Shtetit janë dekonspiruar për llogari të krimit të organizuar? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Opozita e ka thënë me zë të lartë se Vlora Hyseni, si shefe e SHISH-it, ishte në shërbim të koordinatorit të krimit Ergys Agasi. E kemi thënë në Kuvend, e kemi thënë në komisionet parlamentare, e kemi thënë në mbledhje e takime, e kemi thënë në studio televizive. Çfarë masash ka marrë Kryeministri për të verifikuar këto akuza të opozitës? A mund të kemi një përgjigje, zoti Kryeministër?
Edi Rama, Dil dhe jep llogari. Boll u fshehe pas kamerës tënde, në vetmi, siç në fakt e meriton të përfjë secili autokrat që abuzon me pushtetin e dhënë nga qytetarët dhe që janë drejt fundit të tyre të merituar. Shqiptarët presin të mbash përgjegjësi. Dhe përgjegjësia e parë që të takon ty, Edi Rama, është politike. Jep dorëheqjen! Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

