Lajme Zone
Skandali/ Bashkia e Tiranës prej dy vitesh nuk jep lejet e shfrytëzimit për objektet e ndërtuara
PolitikëCNA

Skandali/ Bashkia e Tiranës prej dy vitesh nuk jep lejet e shfrytëzimit për objektet e ndërtuara

Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë një nga institucionet, j...

Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë një nga institucionet, jo vetëm më të akuzuara, por edhe më problematike që krijon shqetësime për qindra apo mijëra qytetarë në kryeqytet, apo dhe vetë biznesin, pra investitorët.

Në një denoncim të ardhur në redaksinë e CNA, të cilin po e zbardhim këtu, ashtu siç na është shkruar, thuhet: “Jam shtetasi X.Y. dhe prej pesë vjetësh kam firmosur një kontratë porosie për blerjen e një apartamenti në kryeqytet, brenda unazës.

Pallati ka gati një vit që ka përfunduar, por ne nuk hyjmë dot brenda. Ndërtuesi thotë: Jam brenda të gjitha rregullave, por bashkia nuk më jep lejen e shfrytëzimit.

Sipas ndërtuesit, sapo bëhet gati gjithçka, ikën një drejtor, vjen një tjetër, ikën një përgjegjës, vjen një tjetër. Njëri do hisen e tij, tjetri do hisen e tij. Pra, gjithçka ngelet pa përfunduar. Edhe ndërtuesi nuk merr këstin tonë të fundit. Edhe ne nuk hyjmë dot në apartamentin që kemi marrë me kredi, por detyrohemi të paguajmë qira. Kjo për shkak se nuk jepet leja e shfrytëzimit të një objekti, i cili është brenda të gjitha rregullave urbanistike dhe ndërtimi nuk ka shkelur asnjë pikë të lejes. I gjithë qëllimi duket se është ryshfeti. I gjithë qëllimi duket se është paaftësia e Bashkisë së Tiranës, e zyrave që duhet të bëjnë kontrollin për të dhënë lejen e shfrytëzimit dhe më pas për t'u lidhur energjia elektrike dhe uji.

Si rasti im, janë me dhjetëra e dhjetëra banorë të këtij pallati dhe ndoshta me qindra apo mijëra të tjerë në Tiranë tek objektet, pra pallatet që nuk u jepet leja e shfrytëzimit nga Bashkia e Tiranës.” Ky është denoncimi që ka ardhur te CNA nga një qytetar, i cili ka blerë një apartament para gati pesë viteve, apartamentet e një pallati, të cilët kanë përfunduar, por nuk jepet leja e shfrytëzimit. Një shqetësim që vazhdon të jetë problematikë e madhe për kryeqytetin.

Ndërtuesi ka respektuar rregullat e urbanistikës, ka respektuar çdo ligj. Por ikën një drejtor, vjen një drejtor.

Situata kaotike në Bashkinë e Tiranës ka bërë që të kemi një shqetësim tjetër përtej atyre halleve të mëdha që ka Tirana.

Propaganda e Erion Veliajt në rrjetet sociale na thotë se po bëhet nami pas marrjes së detyrës nga ai në burgun e Fierit, por në fakt lëvizjet e drejtorëve, emërimet, shkarkimet, kanë bërë që të ketë probleme thelbësore dhe denoncimi vjen në momentin kur publikisht është njoftuar dhe shkarkimi i drejtoreshës së urbanistikës, në Bashkinë e Tiranës pak ditë më parë nga kryetari Erion Veliaj.

Qytetarët detyrohen të marrin kredi dhe tani përveç këstit të kredisë duhet të paguajnë dhe një apartament me qira për të jetuar, derisa dikush në bashki të zgjohet nga gjumi apo të bëjë detyrën e tij, duke shkuar dhe certifikuar ato objekte, të cilat dhe u është dhënë leje, për më tepër u është marrë dhe taksa.

Bashkia e Tiranës duhet të shkojë të bëjë certifikimin në rast se ato respektojnë të gjitha rregullat urbanistike dhe ligjin dhe nuk mund t'i mbajë peng me qindra apo mijëra qytetarë të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Në rast se leja nuk është zbatuar, apo ka problematika, të gjobiten, të merren masat ligjore dhe administrative ndaj ndërtuesit apo zbatuesit të projektit, por kurrsesi nuk mund të lihen qytetarët jashtë në rastet kur objektet janë në rregull dhe thjesht duhet bërë një praktikë certifikuese, e cila duket se në Shqipëri dhe kryesisht në Bashkinë e Tiranës ka filluar të zgjatë jo me muaj, por me vite, duke sjellë kështu një kosto të shtuar mbi kurrizin e qytetarëve të kryeqytetit./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.