Ndërsa Shqipëria përballej me një nga sezonet më problematike të zjarreve të viteve të fundit dhe protestat kundër qeverisë vijonin në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama nuk ndryshoi planet e tij nga rutina e zakonshme e verës. Pushime në Jug, xhiro me skaf, darka me personazhe të njohura ndërkombëtare, rrjetet sociale dhe... propagandë. Në anën tjetër, në terren, vendi përballej me protestat qytetetare, zjarret, ndërsa episod pas episodi shtoheshin edhe ngjarjet që nxirrnin në pah mënyrën se si funksionon shteti dhe institucionet.
Në pak javë, vera e Ramës prodhoi një seri episodesh që kanë ushqyer debatin politik: zjarret që përfshinë zona të mëdha të vendit dhe iu afruan edhe Surrelit, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme për ndërhyrje nga ajri, zjarri në Krujë, përplasja e raportuar në Vuno mes gazetarit Arjan Konomi dhe pjesëtarëve të eskortës së kryeministrit, ndërsa në rrjetet sociale kryeministri vijonte të promovonte imazhin e një Shqipërie turistike dhe të suksesshme.
Shqipëria i kërkonte dorëheqjen, Rama me skaf në Dhërmi Në fillim të gushtit, ndërsa Shqipëria hynte në një verë të nxehtë jo vetëm për temperaturat, por edhe për zhvillimet politike, Edi Rama zgjidhte Jugun për të vijuar pushimet.
Në atë kohë, protesta qytetare kundër qeverisë kishte hyrë në ditën e 66-të. Për gati dy muaj, qytetarë të mbledhur para Kryeministrisë kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës. Ndërsa protestuesit vijonin të qëndronin në rrugë dhe të përcillnin mesazhet e tyre kundër kryeministrit, Rama shfaqej në një tjetër realitet.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale e tregonin atë në një skaf në ujërat e Dhërmiut, me kapele dhe syze dielli.
Protesta, që kishte nisur prej javësh dhe ishte kthyer në një prani të përditshme para Kryeministrisë, nuk e ndërpreu rutinën verore të kreut të qeverisë. Përkundrazi, pamjet nga Dhërmiu sollën një tjetër moment përplasës mes asaj që ndodhte në rrugë dhe imazhit që kryeministri përcillte nga pushimet.
Flakët iu afruan Surrelit, por Rama zgjodhi propagandën Por vera e Ramës do të merrte një tjetër dimension vetëm pak ditë më vonë.
Ndërsa ai vijonte të shfaqej duke pushuar në Jug, Shqipëria do të përballej me një valë të fortë zjarresh, me dhjetëra vatra në qarqe të ndryshme dhe me qindra forca të angazhuara në terren.
Dhe në një prej netëve më të vështira, flakët do t'i afroheshin edhe Surrelit, zonës ku ndodhet rezidenca e kryeministrit.
Era e fortë dhe terreni i vështirë e komplikuan ndërhyrjen e strukturave në terren, ndërsa zjarri u pa edhe nga zona të ndryshme të kryeqytetit.
Forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, strukturat e emergjencave dhe mjetet ajrore u angazhuan për të frenuar flakët.
Por ndërsa vendi luftonte me zjarret, postimet e Ramës në rrjetet sociale nuk u fokusuan te situata alarmante.
Në një prej tyre ai shkruante:
“Mirëmëngjes dhe me energjinë nga Bjeshkët e Dobërdolit, ju uroj një ditë të mbarë.”
Në një tjetër postim, vëmendja ishte te sezoni turistik dhe masat për sigurinë e turistëve.
Pra, ndërsa zjarri kishte prekur rrethinat e kryeqytetit dhe i ishte afruar zonës ku jeton kryeministri, komunikimi publik i Ramës vijonte të ishte ai i një Shqipërie që shfaqet si destinacion turistik dhe vend i sigurt për pushime. Kruja digjej prej ditësh, Rama reklamonte turistëtNjë tjetër episod që nxori në pah kontrastin mes realitetit në terren dhe komunikimit të kryeministrit ishte situata në Krujë.
Për ditë me radhë, zona e Abazajt u përball me zjarre që rrezikonin edhe banesat.
Në terren punonin forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave, ndërsa përballja me flakët nxori sërish në pah nevojën për mjete të specializuara dhe ndërhyrje nga ajri.
Por në komunikimin e tij publik, Rama zgjodhi një tjetër pamje të Krujës.
Ai publikoi një video nga Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, duke e shoqëruar me mesazhin:
“Mirëmëngjes dhe me këtë atmosferë turistësh në Muzeun ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ në Krujë, ju uroj një ditë të mbarë.” Një paradoks që ndërsa një pjesë e qytetit luftonte me flakët, në rrjetet sociale të kryeministrit shfaqej Kruja turistike.
Nga skafi te darka me Alex Soros
Në të njëjtën periudhë, në media qarkulloi edhe një fotografi e Edi Ramës në shoqërinë e Alex Soros.
Imazhi u komentua gjerësisht për shkak të figurës së djalit të miliarderit George Soros dhe rolit që familja Soros ka pasur prej vitesh në debatet politike amerikane.
Ky takim merr një tjetër dimension për shkak të marrëdhënieve politike të Ramës me rrethin e presidentit amerikan Donald Trump dhe përplasjes së fortë që presidenti amerikan ka pasur prej vitesh me rrjetin e George Soros.
Vetë Rama ka folur më herët për protestat në Shqipëri, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë edhe faktorë që ai i ka cilësuar si “armiq të Trump”, duke iu referuar në mënyrë indirekte rrjetit të Soros.
Në këtë kontekst, fotografia e re që tregon takimin me Alex Soros ka nxitur pikëpyetje dhe reagime në rrjet, veçanërisht për shkak të kontrastit mes afrimit të Ramës me rrethin e Trump dhe kontakteve të tij me familjen Soros.
Përplasja me gazetarin në Vuno Por pushimet e kryeministrit nuk kaluan pa një tjetër episod të debatueshëm.
Në Vuno, gazetari dhe publicisti Arjan Konomi u përfshi në një incident me pjesëtarë të eskortës së Edi Ramës dhe më pas u shoqërua në Komisariatin e Himarës.
Sipas versionit të bërë publik nga Konomi, gjithçka nisi për shkak të parkimit të automjeteve të eskortës së kryeministrit.
Ai pretendon se kishte parë automjetet e eskortës të parkuara në një zonë ku ndalohet parkimi, ndërsa vetëm pak orë më herët, sipas tij, policia kishte gjobitur automjetet e banorëve të Vunoit.
Konomi tha se nisi të filmonte me telefon dhe pyeti efektivët pse nuk gjobitej edhe eskorta e kryeministrit.
Sipas rrëfimit të tij, Rama e thirri për të biseduar, por situata u tensionua pas ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama. Konomi pretendon gjithashtu se pjesëtarë të eskortës i morën telefonin dhe i fshinë videot që kishte regjistruar, përpara se ai të shoqërohej në komisariat. Kështu, në një vend ku qeveria kërkon të shesë imazhin e një Shqipërie turistike, moderne dhe europiane, kontradikta me realitetin e kësaj vere ishte e pashmangshme. Rama mund të ketë qenë me pushime, por pushimet e tij nuk e ndalën prodhimin e skandaleve dhe as debatet për mënyrën se si qeveriset vendi./ S.GJ-Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

