Një tjetër incident i rëndë protokolli ka ndodhur gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në bashkinë e Pustecit në Shqipëri. Për të dytën herë brenda pak kohësh, në një aktivitet publik të zhvilluar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është shkelur hapur protokolli shtetëror duke mos ekzekutuar himnin kombëtar shqiptar.
Sipas udhëzimeve dhe rregullave zyrtare të protokollit, në ngjarje të tilla ku marrin pjesë zyrtarë të lartë të huaj, ekzekutimi i himnit të vendit pritës, Shqipërisë, është detyrim primar, i ndjekur më pas nga ai i shtetit mik. Megjithatë, gjatë festivalit të organizuar sot, është luajtur vetëm himni maqedonas, duke mënjanuar tërësisht atë shqiptar.
Ajo që e bën edhe më të pakuptimtë këtë situatë është prania e drejtuesve lokalë. Përkrah kryeministrit maqedonas shihej ngjitur kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, si dhe ish-kryetari Edmond Themelko, njëkohësisht organizator i këtij eventi. Mbetet e pashpjegueshme se përse këmbëngulet në mënjanimin e simboleve shtetërore të Shqipërisë brenda kufijve tanë kombëtarë.

