Një operacion policor është zhvilluar mbrëmjen e sotme në zonën e Unazës në Tiranë, ku një person është arrestuar pas një ndjekjeje nga efektivët e Policisë.
Në pamjet e siguruara nga redaksia e JOQ Albania, shihet një prani e shtuar e forcave të policisë në rrugë dhe disa efektivë që kanë ndërhyrë në momentin e arrestimit. Në një moment, një efektiv policie shihet duke i drejtuar armën një personi që ndodhet pranë një automjeti.
Sipas dëshmisë së një qytetari që ndodhej në vendngjarje, personi që po ndiqej dyshohet se nuk i është bindur urdhrave të policisë dhe ka përplasur disa mjete gjatë lëvizjes. Dëshmitari pretendon se një kamion mallrash ka shërbyer si barrierë, duke ndihmuar efektivët në neutralizimin e automjetit.
“Arrestuan një person të rrezikshëm në Unazë. Nuk iu bind policisë, i mori makinat përpara. Një kamion mallrash u bë barrierë dhe e ndaluan aty”, shprehet qytetari në mesazhin dërguar redaksisë.
Sipas tij, automjeti me të cilin lëvizte personi ishte pa targa dhe me xhama të zinj, ndërsa në momentin e ndërhyrjes policia nuk ka lejuar filmimin nga afër të personit të ndaluar.
Deri në këto momente nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për identitetin e personit të arrestuar, shkaqet e ngjarjes apo rrethanat e plota të ndjekjes.
Pritet që në vijim të ketë më shumë detaje nga autoritetet për atë që ka ndodhur në Unazën e Tiranës. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

