Situata në Daias dhe në kodrat përreth vijon të mbetet tejet kritike. Zjarri i përmasave të mëdha po përpin sipërfaqe të tëra me bimësi, ndërsa një operacion masiv është vënë në lëvizje nga forcat e emergjencës për mbajtjen e flakëve nën kontroll. Në vendngjarje ndodhen repartet zjarrfikëse të Tiranës dhe Kamzës, ndërsa për shkak të përmasave të vatrës janë kërkuar përforcime urgjente edhe nga Elbasani. I pranishëm në pikën më kritike është edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, së bashku me struktura të tjera policore për të menaxhuar situatën në terren e për të garantuar sigurinë. Momentalisht zjarri shtrihet kryesisht në zonat kodrinore. Ndërhyrja nga ajri me helikopterë është e pamundur për shkak të errësirës së natës, ndërsa deri më tani nuk ka forca të ushtrisë të angazhuara në terren. Pavarësisht masivitetit të flakëve, fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për banesa të përfshira nga zjarri. Sidoqoftë, flakët kanë depërtuar në 2 deri në 3 objekte të pabanuara, të cilat janë djegur tërësisht. Autoritetet bëjnë me dije se çdo shtëpi në afërsi të vatrave të zjarrit është marrë nën monitorim të rreptë. Prallë çdo banese të rrezikuar është pozicionuar një automjet zjarrfikës ose një mjet fuoristradë me personel të specializuar, me qëllim garantimin e mbrojtjes dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast se flakët do të afrohen më tej. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

