Lajme Zone
Situata me zjarret/ 18 vatra në të gjithë vendin, 5 ende aktive
Të tjeraCNA

Situata me zjarret/ 18 vatra në të gjithë vendin, 5 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00, në r...

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00, në rang vendi janë raportuar 18 vatra zjarri. Aktualisht 5 vatra mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar.

Në Ballenjë, Dibër, vijon aktive vatra në zonën e mbrojtur Ballenjë–Kostenjë, ku në terren janë angazhuar 6 forca të ADZM Dibër.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, për shkak të intensitetit të erës, zjarri ka zgjeruar perimetrin në sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për përballimin e situatës janë angazhuar 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat e tjera bashkiake. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës, Librazhd, vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore, ku në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd.

Në Malin e Qukësit, Prrenjas, është evidentuar riaktivizim i vatrës, ku vijon djegia e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Shashicë–Vodicë, Vlorë, është riaktivizuar një vatër në sipërfaqe pyjore me shkurre. Zjarri zhvillohet në një zonë të largët dhe në terren të paarritshëm nga forcat dhe mjetet. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë Mollës, situata paraqitet e përmirësuar. Pas reshjeve të shiut të regjistruara në zonë, vatra do të mbahet nën mbikëqyrje nga strukturat operacionale, me qëllim shmangien e çdo riaktivizimi të mundshëm. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Abaze, Krujë, vatra është izoluar plotësisht dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje për të shmangur riaktivizimin.

Në Bershi–Patin, Klos, zjarri është vendosur nën kontroll të plotë dhe po monitorohet nga shërbimi pyjor, ndërsa në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun, Pukë, nuk ka më vatra aktive dhe zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.