Një ngjarje e rëndë ka tronditur Belshin këtë paradite, ku një 32-vjeçar, elektricist i OSHEE-së, ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 09:30, në fshatin Trojas, shtetasi Klajdi Zekthi, 32 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike teksa po kryente punime për riparimin e një linje elektrike.
Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, 32-vjeçari ka humbur jetën.
Sipas dëshmive të banorëve, punonjësi kishte hipur në një shtyllë elektrike për të kryer riparimet, ndërsa në zonë nuk kishte energji elektrike në atë moment. Më pas, sipas denoncimeve të tyre, energjia është rikthyer dhe i riu është goditur nga rryma.
Banorët ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është menaxhuar ndërprerja e energjisë dhe zbatimin e rregullave të sigurisë gjatë punimeve.
Mjekët kanë tentuar ta rikthejnë në jetë 32-vjeçarin, por ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja e rëndë në Belsh vjen pak orë pasi një tjetër aksident tragjik i mori jetën një elektricisti në Marglliç të Patosit. 46-vjeçari Ermal Debrova, me origjinë nga Elbasani, humbi jetën teksa ishte duke punuar në një shtyllë elektrike.
Në lidhje me ngjarjen në Patos, policia ka shoqëruar katër persona në Komisariatin e Fierit, të cilët po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Dy ngjarjet e ndodhura brenda një kohe shumë të shkurtër rikthejnë në vëmendje çështjen e sigurisë në punë për elektricistët dhe nevojën për respektimin rigoroz të procedurave gjatë ndërhyrjeve në rrjetin elektrik.

