Lajme Zone
Sindroma e Stokholmit në Partinë Socialiste
PolitikëPamfleti

Sindroma e Stokholmit në Partinë Socialiste

Në sallë askush nuk reagoi.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste / Rama nuk kontrollon vetëm votën dhe karrierën e deputetëve socialistë. Ai kontrollon frikën e tyre, ndërsa ata e duartrokasin në publik dhe ankohen vetëm në tavolina private... Edi Rama i mblodhi ministrat dhe deputetët, u foli afër dy orë pandërprerje, denoncoi shtetin që ka ndërtuar vetë dhe nuk tha asgjë të re. U kërkoi vartësve llogari për dështimet e tij, i kërcënoi deputetët me burg për telefonatat që kanë bërë dhe i vendosi mediat në “radarin dixhital” të qeverisë.

Në sallë askush nuk reagoi.

Asnjë ministër nuk i kujtoi Edi Ramës se e drejton qeverinë prej vitit 2013. Asnjë deputet nuk e pyeti kush i emëroi drejtorët që sot kryeministri i paraqet si fajtorë. Askush nuk kërkoi shpjegim për mijëra punësimet partiake që kanë ushqyer makinerinë elektorale të PS-së gjatë katër mandateve.

Të gjithë dëgjuan. Disa mbajtën edhe shënime, të tjerë tundën kokën, buzëqeshën me përulje. Në fund duartrokitën.

Kjo heshtje nuk shpjegohet me disiplinë politike. Kjo heshtje tregon frikë, varësi dhe nënshtrim.

Në kuptimin metaforik, Partia Socialiste vuan nga sindroma e Stokholmit: drejtuesit e saj mbrojnë njeriun që i poshtëron, e falënderojnë pasi i kërcënon dhe i binden edhe kur ai ua ngarkon atyre përgjegjësinë për vendimet e veta.

Rama nuk kufizohet më te kritika politike. Ai i sulmon bashkëpunëtorët publikisht, i trajton si vartës pa dinjitet dhe ua përmend gratë apo burrat për t’i denigruar. I ngre në pushtet sipas nevojës dhe i hedh poshtë kur i duhet një fajtor. Megjithatë, askush nuk arrin t’i thotë se e ka kaluar kufirin. Të gjithë keni dëgjuar për historitë e trishta të pirunjve, gotave dhe batutave fyese.

Të njëjtët njerëz flasin ndryshe në tavolina private. Ankohen për arrogancën, emërimet, poshtërimet dhe përqendrimin e çdo vendimi në një dorë. Parashikojnë lëvizje, krijojnë aleanca imagjinare dhe përsërisin: “Sa të vijë shtatori”.

Shtatori erdhi. Por, askush nuk foli.

Nuk foli as Elisa, që herë pas here qëllonte nga dritarja e Facebook-ut me statuse të koduara. Nuk foli as Erioni, megjithëse ka ndërtuar prej vitesh figurën e socialistit që kundërshton padrejtësitë dhe përplas grushtin mbi tavolinë.

Kur përballë është Rama, rebelimi i tyre mbyllet te një postim i paqartë në Facebook.

Edi Rama e njeh këtë dobësi dhe e përdor. Ai i lejon të ankohen veçmas, sepse e di se asnjëri nuk guxon të flasë kur ndodhet përballë tij. Secili pret që revoltën ta nisë tjetri dhe secili është gati të fshihet sapo dikush të ngrihet.

Këtë mekanizëm e provoi edhe një deputete periferike, e larguar nga grupi. Koleget e nxitën duke i premtuar se do ta pasonin, por e lanë vetëm sapo ajo bëri hapin e parë. Naiviteti i saj u përplas me ligësinë e atyre që flasin kundër Ramës vetëm kur ai nuk është.

Kështu funksionon kazerma politike. Komandanti flet, ushtarët heshtin. Pakënaqësia nuk kthehet në qëndrim, sepse secili ruan mandatin, postin, tenderin e të afërmit, vendin e punës së gruas apo karrierën e burrit. Rama nuk kontrollon vetëm votën e deputetëve. Ai kontrollon frikën e tyre.

Partia Socialiste dikur prodhonte figura politike, rryma, debate dhe kundërshtime. Sot prodhon administratorë të bindur, deputetë të listës dhe ministra që presin një mesazh për të mësuar nëse do të vazhdojnë punën. Organet e partisë nuk vendosin, grupi parlamentar nuk diskuton dhe qeveria nuk debaton. Edi Rama emëron, shkarkon, poshtëron dhe shpall edhe versionin e së vërtetës që duhet të përsërisin të tjerët.

Kjo nuk është më një parti politike. Është një kazermë e ngritur rreth një njeriu.

Problemi nuk qëndron vetëm te Rama. Një autokrat merr aq pushtet sa i japin ata që heshtin përballë tij. Deputetët socialistë nuk mund të paraqiten si viktima të pafajshme, kur votojnë çdo urdhër, mbrojnë çdo skandal dhe braktisin këdo që guxon të kundërshtojë.

Ata e dinë se kryeministri i fyen. E dinë se i përdor. E dinë se nesër mund t’i hedhë në rrugë ose t’ua dorëzojë prokurorëve, ndërsa vetë vazhdon rrugën. Edhe pse e dine përsëri e duartrokasin.

Pikërisht këtu mbyllet rrethi i sindromës politike të Stokholmit. Pengjet nuk përpiqen më të shpëtojnë nga pengmarrësi. Ato konkurrojnë se kush do t’i qëndrojë më pranë.

Edi Rama nuk e ka shndërruar i vetëm Partinë Socialiste në kazermë. E kanë ndihmuar edhe ata që prej muajsh premtojnë revoltë në tavolina dhe ulin kokën sapo shfaqet ‘I gjati’./Pamfletisindroma e stokholmit në partinë socialiste gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Cirku i së premtes në orën pesë! 4 Shtator 2026, 11:2211:22Editorial Kur Kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë 3 Shtator 2026, 13:2913:29Editorial Identikiti i një lideri që rrëzon Edi Ramën 2 Shtator 2026, 11:1911:19Editorial Misteri i vdekjes së Allison Guerrieros dhe Kryeministri ynë 1 Shtator 2026, 11:0911:09Editorial Të gjithë në pritje të gjeneralit 31 Gusht 2026, 12:1012:10Editorial Kush po luan në Podgoricë me emrin e Shqipërisë? 30 Gusht 2026, 11:5311:53Editorial