Lajme Zone
Si u bë Ekuadori porta e kokainës drejt Europës, lidhjet e bandave me mafien shqiptare
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Si u bë Ekuadori porta e kokainës drejt Europës, lidhjet e bandave me mafien shqiptare

“Kemi shumë njerëz të këqij brenda policisë, brenda shtetit dhe politikës. Ka shumë të korruptuar që paguhen nga bandat,” thotë ai.

Si u bë Ekuadori porta e kokainës drejt Europës Reportazhi i BBC-së nga qyteti i Duránit dokumenton luftën e policisë kundër bandave, korrupsionin në institucione dhe rolin e grupeve kriminale ndërkombëtare. Në qytetin ekuadorian të Duránit, të goditur nga trafiku i drogës dhe luftërat mes bandave rivale, kapiteni i policisë Jean Carlos Bustamante e di saktësisht se me kë përballet. Për të, kërcënimi nuk vjen vetëm nga grupet kriminale që vrasin dhe në disa raste copëtojnë rivalët e tyre, por edhe nga korrupsioni i rrënjosur brenda institucioneve shtetërore.

“Kemi shumë njerëz të këqij brenda policisë, brenda shtetit dhe politikës. Ka shumë të korruptuar që paguhen nga bandat,” thotë ai.

Sipas tij, të vetmit kolegë të cilëve mund t’u besojë janë anëtarët e ekipit të tij të përzgjedhur me kujdes. Në moshën 34-vjeçare, Bustamante është më i madhi në grup dhe lëviz me disiplinën e një ish-anëtari të forcave speciale.

Me rënien e mbrëmjes, ai udhëheq ekipin në një lagje të varfër ku dritaret mbrohen me hekura dhe banorët heshtin nga frika. Zona kontrollohet nga banda Los Aguilas (“Shqiponjat”).

Kur pyetet se çfarë ndodh me ata që denoncojnë bandat, përgjigjja e tij është e drejtpërdrejtë: “I vrasin. Prandaj askush nuk flet.”

Objektivi i operacionit është një shtëpi e braktisur, ku policia dyshon se fshihen armë. Të armatosur rëndë, efektivët thyejnë derën dhe gjatë kontrollit gjejnë dy pistoleta, njëra e ndryshkur dhe tjetra gati për përdorim, si edhe municion për një pushkë automatike.

Kapiteni e konsideron operacionin të suksesshëm. Megjithatë, ai e pranon se ky është vetëm një sukses i vogël në një luftë të gjatë.

“Arsyeja e parë është se jemi të sigurt. Arsyeja e dytë është se tani bandat kanë dy armë më pak. Bandat kanë shumë armë dhe shumë më tepër para sesa shteti.”, tha ai.

Ai e njeh mirë koston e kësaj lufte. Tre miq të afërt i ka humbur gjatë përballjeve me bandat. Thotë se frikën e ka lënë pas vite më parë, por jo edhe prindërit e tij.

“Nëna më thotë gjithmonë: ‘Ki kujdes, mund të vdesësh’. Babai më telefonon vazhdimisht për të pyetur nëse jam mirë.”

Ekuadori, nyja kryesore e kokainës drejt Europës

Nga rrugicat e Duránit deri në rrugët e Londrës dhe qyteteve të tjera europiane ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë.

Sipas presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa, rreth 70% e kokainës që mbërrin në Europë dhe SHBA kalon përmes Ekuadorit.

Droga hyn në vend nga Kolumbia dhe Peruja, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë. Bandat ekuadoriane, të lidhura me kartelet meksikane dhe grupet e mafies shqiptare, organizojnë transportin drejt tregjeve ndërkombëtare, duke shfrytëzuar kontrollin e dobët kufitar, mungesën e fondeve për forcat e sigurisë dhe vijën e gjatë bregdetare në Oqeanin Paqësor.

Si rezultat, një vend që dikur konsiderohej destinacion i qetë turistik është kthyer brenda pak vitesh në një nga zonat më të dhunshme të Amerikës së Jugut.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, vetëm vitin e kaluar u regjistruan mbi 9.200 vrasje, duke e renditur vendin ndër shtetet me normën më të lartë të vrasjeve në botë.

Kjo ka ndodhur pavarësisht politikës së ashpër të presidentit Noboa kundër krimit të organizuar. Kritikët argumentojnë se arrestimi i drejtuesve të mëdhenj të bandave ka sjellë fragmentimin e tyre në grupe më të vogla, por edhe më të shumta.

Shumë banorë besojnë se kjo luftë nuk mund të fitohet plotësisht.

Lufta e përditshme në terren

Në një tjetër operacion, Bustamante ndjek lëvizjet e disa të dyshuarve me dron. Ai identifikon tre persona pranë një këndi lojërash, të cilët i cilëson si shitës të vegjël droge.

Brenda pak minutash, policia mbërrin në banesën ku ata janë futur. Pas hyrjes me forcë, efektivët kontrollojnë çdo dhomë, ndërsa një grua proteston dhe një vajzë e vogël shpërthen në lot.

Në një vend të fshehtë pas një dritareje gjendet një i ri, ndërsa dy të tjerë arrestohen në një dhomë tjetër. Të tre mohojnë akuzat për trafik droge.

Më pas, kapiteni gjen në një vazo lulesh disa pako të vogla me drogën e njohur si “H”, një përzierje shumë e varësisëshme që përmban sasi të vogla heroine dhe shitet për rreth 1 dollar pakoja.

Njëri prej të arrestuarve akuzohet dhe, nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në pesë vjet burg. Dy të tjerët lirohen nga prokuroria.

Sipas drejtuesve të policisë, kjo ndodh shpesh.

“Ne i arrestojmë dhe ata i lirojnë. Më pas i gjejmë sërish në operacionet tona. Disa prej tyre vrasin njerëz dhe lënë fëmijë jetimë,” thotë nënkoloneli Santiago Gavilanes, zëvendëskomandant i policisë së Duránit.

Ai shton se bandat kanë para të mjaftueshme për të korruptuar gjyqtarë, politikanë dhe pjesë të sistemit të drejtësisë.

Ryshfeti që arrin deri te policët

Një tjetër oficer policie, identiteti i të cilit mbahet i fshehtë për arsye sigurie, tregon se ka marrë dy oferta për ryshfet përmes mesazheve.

Shuma ishte aq e madhe sa, sipas tij, “do të mjaftonte për të dalë në pension”. Ai refuzoi.

Por dikush brenda sistemit kishte informuar bandën për vendin ku ai punonte dhe detyrën që kryente.

“Nuk e di kurrë se kush po të vëzhgon,” thotë ai.

Kjo është një frazë që dëgjohet shpesh në Durán.

Përmirësim i pjesshëm i situatës

Megjithëse sfidat mbeten të mëdha, policia pretendon se ka arritur rezultate.

Sipas autoriteteve, numri i vrasjeve në Durán është përgjysmuar gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Koloneli Gavilanes thotë se rrugët nuk boshatisen më pas orës 19:00 si dikur dhe rastet e trupave të prerë apo të copëtuar janë bërë shumë më të rralla.

“Kemi arritur t’i frenojmë bandat. Marrja e kontrollit të plotë do të kërkojë kohë,” shprehet ai.

“Kemi policë në listën tonë të pagesave”

Pamja është krejt tjetër në territorin e kontrolluar nga bandat.

Gjatë një takimi me një grup kriminal, drejtuesi i tij, i identifikuar me emrin e ndryshuar Jonathan, pranon se ka katër policë në listën e pagesave.

“Sa herë që do të zhvillohet një operacion, më telefonojnë. Më thonë të fsheh armët dhe të largohem. Kur mbërrijnë, nuk gjejnë asgjë.”, tha ai.

Ai paguan mes 1.500 dhe 2.000 dollarë në muaj për këtë rrjet informatorësh.

Jonathan thotë se iu bashkua një bande në moshën 18-vjeçare për të siguruar ushqim për familjen.

Ai dhe njerëzit e tij patrullojnë hapur rrugët të armatosur me pushkë gjysmëautomatike dhe pistoleta. Më i riu mes tyre është vetëm 17 vjeç, me jelek antiplumb dhe sandale, ndërsa të gjithë mbajnë fytyrën të mbuluar.

Brenda një dhome të vogël, Jonathan pranon se ka vrarë njerëz. Ai pretendon se banda e tij nuk vret civilë, por vetëm rivalët.

“Deri tani rreth tetë. Nuk e mbaj mend saktësisht. Ata përpiqen të marrin territorin tonë. Vijnë duke vrarë dhe ne kundërpërgjigjemi. Objektivi ynë është eliminimi i bandës tjetër.”, thotë ai, duke mbajtur një pistoletë në prehër.

Organizatat për të drejtat e njeriut në Ekuador thonë se djemtë mund të rekrutohen nga bandat që në moshën 12-vjeçare dhe vetëm tre vjet më vonë të përdoren si vrasës me pagesë.

Jonathan nuk shpreh pendesë për përfshirjen e të miturve në aktivitetet kriminale apo për shitjen e drogës në lagjen ku jeton. Ai beson se edhe vetë do të vdesë nga armët.

“Ky problem nuk do të marrë fund kurrë. Nëse shkatërrojnë një bandë, do të krijohet një tjetër. Vdekja paguhet me vdekje. Nëse vijnë të më vrasin, nuk do ta kenë të lehtë.”, u shpreh ai.

Një tjetër natë me viktima

Dy net më vonë, në Durán, policia mbërrin në vendin e një tjetër vrasjeje.

Pranë një motoçiklete ndodhet trupi i një burri, ndërsa gëzhojat janë ende në asfalt. Të afërmit e viktimës qajnë në heshtje.

Policia dyshon se bëhet fjalë për hakmarrje mes bandave.

Një dëshmitar, që pranon të flasë vetëm në kushte anonimiteti, përshkruan skenën:

“Ai ishte qëlluar fillimisht në shpinë. Kur ra në tokë, iu afruan dhe e qëlluan në kokë. Në total e goditën gjashtë herë. Ishin dy persona me motoçikletë.”

Sipas tij, banorët janë mësuar me këtë realitet. Ai nuk beson se lufta e presidentit kundër bandave do të sjellë ndryshime vendimtare.

“Kjo ndodh çdo ditë. Mund të dalësh nga shtëpia dhe të të kapë një plumb qorr. Nuk mund të jetosh normalisht. Kriminelët janë si fantazma. Shfaqen kudo që duan.”, tha dëshmitari.

Ai largohet në errësirë.

Në Durán, askush nuk është i sigurt se kush po e vëzhgon./Përshtatur nga "BBC"kokaine ekuador mafia shqiptare europe 1 Komente T Tony 28 Korrik 2026, 08:48 Qe eshte mulli me ere e marr vesh po ujet nga i vjen. Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Tentoi të rrëmbente një vajzë nga Nepali, arrestohet 30-vjeçari në Tepelenë 27 Korrik 2026, 20:0320:03Kronike Ervin Mata drejt ekstradimit në Tiranë, Gjykata e Lartë e Brazilit i refuzon lirimin nga qelia 27 Korrik 2026, 19:2419:24Kronike Furnizonin Finlandën me kokainë, SPAK çon për gjykim 11 anëtarë të rrjetit kriminal 27 Korrik 2026, 15:3015:30Kronike Ishte pjesë e grupit që trafikoi drogë nga Spanja drejt Finlandës, lirohet nga qelia Erind Agalliu 27 Korrik 2026, 13:1913:19Kronike Ish i fejuari i vrau prindërit dhe e mori peng, zbardhet dëshmia e Rozalinda Plakës: Si nisi konflikti me Refit Buzin 27 Korrik 2026, 12:2512:25Kronike Sherr me thika në Durrës, plagosen tre të rinj 27 Korrik 2026, 11:5211:52Kronike