Lajme Zone
Si të shmangim komunizmin dhe ta shpëtojmë kapitalizmin nga të pangopurit?
PolitikëPamfleti

Si të shmangim komunizmin dhe ta shpëtojmë kapitalizmin nga të pangopurit?

E gjithë bota po kalon një krizë të madhe ekonomike dhe shoqërore, që nuk vjen nga mungesa e burimeve, por nga kontradikta mes pasurisë së jashtëzakonshme që njerëzimi prodhon dhe mënyrës gjithnjë e më të pabarabartë se si ajo shpërndahet. Ndërsa kapitali, teknologjia dhe burimet natyrore krijojnë mundësi të paprecedenta zhvillimi, një pjesë e madhe e përfitimeve përqendrohet në pak duar, duke lënë miliona njerëz përballë pasigurisë ekonomike.

Foto Pamfleti / Bota ka pasuri të mjaftueshme për t’u siguruar të gjithëve një jetë dinjitoze, por pangopësia e të pasurve dhe pabarazia po ushqejnë radikalizmin... Kur pasuria përqendrohet në pak duar dhe shumica humbet shpresën për një jetë dinjitoze, kapitalizmi rrezikon të krijojë vetë kushtet për rikthimin e ideve që synojnë përmbysjen e tij. Shqipëria, me pasuritë e saj të mëdha dhe korrupsionin që gërryen besimin te shteti, duhet ta kuptojë këtë përpara se pakënaqësia të shndërrohet në një krizë të thellë shoqërore. E gjithë bota po kalon një krizë të madhe ekonomike dhe shoqërore, që nuk vjen nga mungesa e burimeve, por nga kontradikta mes pasurisë së jashtëzakonshme që njerëzimi prodhon dhe mënyrës gjithnjë e më të pabarabartë se si ajo shpërndahet. Ndërsa kapitali, teknologjia dhe burimet natyrore krijojnë mundësi të paprecedenta zhvillimi, një pjesë e madhe e përfitimeve përqendrohet në pak duar, duke lënë miliona njerëz përballë pasigurisë ekonomike.

Kjo pabarazi, e ndërthurur me korrupsionin dhe humbjen e besimit te institucionet, po krijon terrenin për pakënaqësi shoqërore dhe për rikthimin e ideve radikale që premtojnë barazi përmes përmbysjes së rendit ekzistues.

Historia ka treguar se komunizmi fitoi terren pikërisht aty ku pabarazia, shfrytëzimi dhe mungesa e perspektivës i bënë shtresat e gjera të shoqërisë të humbnin besimin te sistemi ekonomik. Kjo nuk do të thotë se çdo krizë e kapitalizmit prodhon komunizëm, por se një sistem që nuk korrigjon padrejtësitë e veta mund të krijojë kushtet për forcimin e kundërshtarëve të tij më radikalë.

Paradoksi është se kapitalizmi, kur shndërrohet në mekanizëm privilegjesh për një pakicë, rrezikon të ushqejë vetë idetë që kërkojnë ta rrëzojnë.

Shqipëria është një shembull domethënës i kësaj kontradikte. Ne nuk jemi një vend i varfër në burime, përkundrazi, kemi një bregdet të jashtëzakonshëm, pasuri minerare, potencial energjetik, toka, prona publike dhe një industri turistike në zgjerim. Këto pasuri, të administruara me përgjegjësi, mund të krijonin kushte shumë më të mira jetese, ku një familje që punon të përballojë një banesë, ku të rinjtë të kenë perspektivë dhe ku emigrimi të mos mbetet rruga kryesore drejt mirëqenies. Por ndërsa vendi gjeneron gjithnjë e më shumë të ardhura nga sektorë të ndryshëm, një pjesë e qytetarëve vazhdon të mos ndiejë përfitimet e këtij zhvillimi.

Problemi bëhet edhe më i rëndë kur pabarazia ushqehet nga korrupsioni dhe privilegjet politike, sepse atëherë qytetari nuk e sheh më pasurinë si rezultat të punës dhe aftësisë, por si produkt të lidhjeve me pushtetin.

Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar ndër vite parregullsi financiare, efekte negative në buxhet dhe probleme në administrimin e pronës shtetërore, prokurimeve dhe kontratave publike. Kur prona publike jepet edhe përmes kontratave me qira simbolike prej një euroje, shteti duhet të provojë se përfitimi publik e justifikon këtë favor, përndryshe krijohet bindja se pasuria e përbashkët po përdoret për luksin e një rrethi të kufizuar.

Këtu pabarazia ekonomike fillon të kthehet në rrezik politik. Kur qytetarët besojnë se nuk mund të blejnë një shtëpi me punën e tyre, se nuk mund të konkurrojnë pa mbështetje politike dhe se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, ata nuk humbasin vetëm besimin te qeveria, por edhe te vetë ekonomia e tregut. Në këtë klimë, kapitalizmi fillon të identifikohet me korrupsionin dhe privilegjin, duke u dhënë hapësirë ideologjive që premtojnë ta zëvendësojnë atë. Një kapitalizëm i kapur nga interesat klienteliste mund të bëhet kështu propaganda më e fuqishme për kundërshtarët e tij.

Këtë duhet ta kuptojnë edhe të pasurit e Shqipërisë, veçanërisht ata që kanë përfituar nga marrëdhëniet e privilegjuara me pushtetin. Një ekonomi ku pasuria grumbullohet vazhdimisht në pak duar, ndërsa shumica përballet me pasiguri, nuk mund të garantojë stabilitet shoqëror të pakufizuar. Shqipëria ka nevojë për sipërmarrës të suksesshëm dhe kapital privat, por jo për një sistem ku afërsia me qeverinë vlen më shumë se konkurrenca.

Nëse elitat ekonomike nuk e kuptojnë se mirëqenia e përgjithshme është edhe garanci për sigurinë e investimeve të tyre, pakënaqësia mund të ushqejë alternativa politike gjithnjë e më radikale.

Në këtë situatë, SPAK ka një përgjegjësi të veçantë për të ndjekur jo vetëm përgjegjësinë penale të zyrtarëve, por edhe gjurmën e pasurisë së përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Asetet e konfiskuara me vendime gjyqësore duhet, përmes mekanizmave ligjorë, të rikthehen në shërbim të interesit publik, sepse lufta kundër korrupsionit nuk mund të përfjë vetëm me dënimin e autorëve, ndërsa dëmi ekonomik mbetet i parikuperuar.

Përgjegjësia politike për këtë model qeverisjeje nuk mund të shmanget nga Edi Rama, i cili pas më shumë se një dekade në pushtet duhet të japë llogari jo vetëm për investimet dhe zhvillimin turistik, por edhe për administrimin e pasurisë publike dhe transparencën e marrëdhënieve mes qeverisë dhe investitorëve.

Një kryeministër nuk mban automatikisht përgjegjësi penale për çdo abuzim të administratës, por mban përgjegjësi politike për sistemin që drejton. Ndaj ndryshimi i modelit të qeverisjes është një domosdoshmëri që nuk mund të zëvendësohet me propagandë për arritjet ekonomike.

Shqipëria nuk ka nevojë për rikthimin e komunizmit, sepse e njeh mirë çmimin e ekonomisë së centralizuar, humbjen e lirive dhe shkatërrimit të pronës private. Ajo ka nevojë për një ekonomi të ndershme tregu, ku konkurrenca të jetë reale, ku pasuria publike të mos trajtohet si pronë e pushtetit dhe ku puna të krijojë mundësi për një jetë dinjitoze. Sepse komunizmi nuk fiton terren vetëm nga propaganda e atyre që e predikojnë, por mund të ushqehet edhe nga dështimet e atyre që pretendojnë se mbrojnë kapitalin.

Mënyra për ta shmangur komunizmin nuk është të mbrojmë padrejtësitë e kapitalizmit, por të mos lejojmë që ato të bëhen arsyeja pse qytetarët humbasin besimin te liria./Pamfletisi ta shmangim kumunizmin kapitalizmi të pangopur Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Nga çadrat pistoletë tek dronët me eksploziv 18 Tetor 2026, 14:1714:17Editorial Brezi i ri sfidon dyshen që mban peng vendin 17 Tetor 2026, 15:5815:58Editorial Edi, je shumë i gjatë për t’u fshehur pas agjenturave të huaja 16 Tetor 2026, 11:1511:15Editorial Arroganca e Edi Ramës, arkitektja e shkatërrimit të Tiranës 15 Tetor 2026, 10:3510:35Editorial A ka turp kjo Mirela? 14 Tetor 2026, 12:2712:27Editorial I lumi ai që e kupton se kur është mjaft 13 Tetor 2026, 15:3215:32Editorial