Demosteni nuk dëshironte të ishte asgjë tjetër veçse politikan dhe orator publik, ndërsa Isokrati e konsideronte veten para së gjithash filozof, aq sa hyri në konkurrencë me askënd tjetër përveç Platonit, bashkëkohësit të tij, por pak më të ri... Pas Luftës së Peloponezit dhe humbjes së Athinës përballë Spartës (404 p.e.s.), shekulli i pestë, në fakt, mori fund dhe nisi i katërti. As ky nuk ishte një shekull paqeje. Hegjemonia mbi botën greke, e cila kishte kaluar nga Athina te Sparta, brenda pak vitesh kaloi nga Sparta te Teba. Por as Sparta dhe as Teba nuk kishin forcën për ta ushtruar atë për një kohë të gjatë.
Lufta u shndërrua sërish në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, me armëpushime të shkurtra dhe aleanca të paqëndrueshme. Pasoja ishte një dobësim serioz i qyteteve greke, poleis-ve, në aspektin demografik, ushtarak dhe financiar. Po ashtu edhe në atë shoqëror: në shekullin e katërt, në fakt, varfëria u përhap për herë të parë në shkallë të gjerë.
Gjërat ndërlikoheshin edhe më tej nga fakti se pikërisht në atë periudhë, në periferi të botës greke po shfaqeshin fuqi të reja, dinamike në planin politik dhe ushtarak, të gjera territorialisht dhe të drejtuara nga qeveri të forta. Ky është, shumë shkurt, kuadri në të cilin u gjendën duke vepruar dy oratorët politikë më të rëndësishëm të shekullit të katërt, Isokrati dhe Demosteni.
Isokrati dhe Demosteni
Isokrati dhe Demosteni janë dy personalitete që dallojnë pothuajse në çdo aspekt, duke nisur që nga viti i lindjes së tyre. Isokrati lindi në Athinë në vitin 436 p.e.s., kur Perikliu ishte ende gjallë dhe Lufta e Peloponezit nuk kishte filluar ende. Demosteni, nga ana tjetër, lindi në vitin 384 p.e.s., kur Lufta e Peloponezit, e cila kishte zgjatur 27 vjet, kishte përfunduar prej rreth 20 vjetësh. Kjo do të thotë se Demosteni, për nga mosha, mund të kishte qenë jo vetëm djali, por edhe nipi i Isokratit.
Isokrati dhe Demosteni ndryshonin gjithashtu për nga veprimtaria e tyre. Demosteni nuk dëshironte të ishte asgjë tjetër veçse politikan dhe orator publik, ndërsa Isokrati e konsideronte veten para së gjithash filozof, aq sa hyri në konkurrencë me askënd tjetër përveç Platonit, bashkëkohësit të tij, por pak më të ri.
Duke menduar se mësimet e Platonit u jepnin tepër rëndësi disiplinave logjike dhe matematikore, Isokrati krijoi një shkollë filozofike krejtësisht të ndryshme, të bazuar te tradita, vlerat etike dhe elokuenca. Dhe ndoshta pikërisht atëherë kundërvënia shekullore midis dijes shkencore dhe asaj humaniste dha goditjen e saj të parë.
Diversiteti i stilit dhe i vizionit
Për Isokratin, fjalët janë gjithçka: ato fiksojnë kujtesën, përcjellin mendimin dhe nxisin veprimin. Por, për të arritur këto efekte, ato nuk duhet të jenë të paqëndrueshme dhe virtuozistike, si ato të sofistëve, apo abstrakte, si ato të Platonit. Përkundrazi, duhet të jenë në përmasën njerëzore, bindëse. Dhe, për të qenë bindëse, duhet të jenë të bukura. Në themel të veprimit politik, si konkret ashtu edhe ideal, qëndron aftësia për të folur mirë dhe për të shkruar mirë.
Isokrati dhe Demosteni janë gjithashtu shumë larg njëri-tjetrit në vizionin dhe programin e tyre politik. Isokrati dëshiron lavditë e lashta të Greqisë dhe të Athinës dhe i idealizon ato pa ngurrim, pa bërë dallim midis historisë dhe mitit. Por prirjet e tij utopike nuk e pengojnë që, kur është e nevojshme, ta vlerësojë me realizëm të tashmen.
Në veçanti, ai kupton se, në një kontekst ndërkombëtar të dominuar gjithnjë e më shumë nga mbretëri dhe perandori, poliset e vogla mund të mbijetojnë vetëm duke u bashkuar. Por ku mund të gjendej një bashkues?
Isokrati e kërkoi atë kudo, duke iu drejtuar me fjalimet e tij të përpunuara forcave politike nga më të ndryshmet, duke nisur nga Athina e tij e lindjes dhe duke përfunduar te Filipi II, mbreti i Maqedonisë. Thirrja drejtuar Filipit me siguri bëri që shumë njerëz të rrudhnin hundët, duke pasur parasysh se maqedonasit konsideroheshin një popull gjysmëbarbar. Por, përballë qëllimit të madh të unitetit, prejardhja kalonte në plan të dytë.
Për më tepër, për Isokratin, përkatësia etnike nuk mbizotëronte mbi gjithçka. Emri “grekë”, shpjegon ai në kapitullin 50 të Panegjirikut, nuk karakterizon aq shumë ghénos-in (prejardhjen), sesa diánoia-n (inteligjencën, shpirtin): “Ata që kanë të përbashkët me ne jo origjinën, por kulturën, quhen grekë”. Një pohim që nuk duhet absolutizuar, por as minimizuar, edhe duke pasur parasysh rastet e shumta të tjera në të cilat Isokrati shfaq aderimin e tij ndaj elitizmit të përhapur helen të kastës dhe gjakut.
Demosteni kundër Filipit II
Demosteni kishte një qëndrim krejt tjetër ndaj maqedonasve. Te Filipi ai shihte vetëm një agresor të dhunshëm dhe dinak, të interesuar për Greqinë për ta gllabëruar atë, jo për ta bashkuar.
Kështu, duke nisur rreth vitit 352 p.e.s., përmes fjalimeve të tij të mëdha, Filipikëve, Olintiakëve dhe shumë të tjerëve, ai ndoqi me këmbëngulje, megjithëse jo pa disa tërheqje taktike, një objektiv të vetëm: ta shtynte Athinën t’i kundërvihej ekspansionizmit maqedonas.
Një temë e përsëritur te Demosteni është kontrasti midis shpejtësisë së Filipit dhe pavendosmërisë së Athinës demokratike, të ngadalësuar nga procedurat dhe garancitë, të dobësuar nga brenda prej tradhtarëve dhe kolonave të pesta dhe, në fund, të braktisur nga poliset e tjera, të paafta për të kuptuar përparësitë e një fronti të përbashkët.
Duhet theksuar se, ndryshe nga mënyra se si e portretizon një traditë e caktuar romantike, Demosteni nuk kufizohet në diskutimin e idealeve, vlerave dhe parimeve, por hyn në hollësitë e planifikimit të luftës, nismave diplomatike, financave dhe taksimit.
Ne e dimë se si përfi: Athina u mund në fushën e betejës në Keronea, në vitin 338 p.e.s., dhe polisi u bë pjesë e mbretërisë maqedonase, duke u zhdukur në mënyrë efektive nga skena e historisë së madhe. Disa vjet më vonë, në vitin 322 p.e.s., vetë Demosteni i dha fund jetës duke u helmuar, për të shmangur rënien në duart e njerëzve të Antipatrit të Maqedonisë. Disfata e Demostenit ishte, pra, e plotë.
Dy mënyra të kundërta për t’u përballur me të renë
Një traditë e përhapur historiografike parapëlqen t’i paraqesë Isokratin dhe Demostenin si shembuj të dy qasjeve rrënjësisht të kundërta ndaj botës së re që po lindte. Sipas këtij interpretimi, i pari, megjithëse më pak i talentuar, kishte kuptuar herët se në cilin drejtim po frynin erërat e historisë, ndërsa i dyti, edhe pse më i kthjellët, më inteligjent dhe më pragmatik, mbeti i lidhur me modelin tashmë të vjetruar të polisit të vogël. E parë nga ky këndvështrim, lufta e Demostenit nuk mund të mos duket kokëfortë, patetike dhe e drejtuar nga e kaluara.
Kësaj kritike, e cila duhet t’i jetë drejtuar që gjatë jetës së tij, Demosteni iu përgjigj në fjalimin Mbi Kurorën, të vitit 330 p.e.s., ndoshta vepra e tij më e mirë. Në të, oratori rikthehet te zgjedhjet e tij të së kaluarës dhe i komenton ato gjatë.
Kauza ime humbi, ky ishte thelbi i arsyetimit të tij, jo sepse ishte e gabuar, apo sepse kisha bërë gabime dhe treguar pakujdesi në ndjekjen e saj, por sepse rrethanat ishin të pafavorshme dhe armiku pakrahasueshëm më i fortë:
“Le të supozojmë se një kapiten kishte bërë gjithçka të mundshme për sigurinë e anijes së tij; le të supozojmë se kishte marrë çdo masë paraprake që e konsideronte të dobishme për të shmangur rreziqet dhe më pas e kishte gjetur veten në mes të një stuhie, me pajisjet në bord pjesërisht ose plotësisht të dëmtuara: askush nuk mund të thoshte se fsja e anijes ishte faji i tij.”
Cila ishte zgjedhja e duhur: t’i dorëzoheshin Filipit? Por Athina kishte një të kaluar, një histori gjatë së cilës nuk i ishte përulur kurrë një zotërie. A mund të shitej një e kaluar e tillë? A mund të hiqej dorë nga mbrojtja e saj? Dhe kështu, me fitore apo me humbje, kjo betejë duhej zhvilluar.
Në literaturën e gjerë biografike dhe studimore mbi Demostenin, fjalë si “dramë” dhe “tragjedi” shfaqen shpesh. Megjithatë, pa lënë mënjanë paqartësitë dhe zonat gri, dhe pavarësisht ripërdorimeve të ngathëta instrumentale dhe patriotike – ndër to edhe ai i Georges Clemenceau-së, bashkautor i një vepre të vitit 1926 mbi Demostenin, ku “hero”, “titan” dhe “farkë që digjet me një fuqi të pakontrollueshme” ishin ndër lavdërimet më të përmbajtura, është e vështirë të mos e lidhësh Demostenin me një prej atyre personazheve të pezulluara midis planit njerëzor dhe fatit, që në shekullin paraardhës kishin populluar teatrin e triadës së madhe: Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit./Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"isokrati demosteni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Ndahet nga jeta Osman Buzo, aktori dhe regjisori që i kushtoi mbi 40 vite Teatrit të Kukullave në Gjirokastër 14 Gusht 2026, 16:2916:29Kulture Eklipsi i qiellit dhe eklipsi i njeriut 14 Gusht 2026, 09:0109:01Kulture Eurovision ndryshon gjithçka: Vendet në konflikt rrezikojnë organizimin, rritet mosha dhe kufizohen performancat playback 13 Gusht 2026, 14:0914:09Kulture A ekzistonte vërtet Homeri dhe kush e shkroi Odisenë? 12 Gusht 2026, 16:1616:16Kulture Shkupi 1912, kur dështimi politik asgjësoi triumfin ushtarak! 12 Gusht 2026, 14:4714:47Kulture "Carpe diem"/ Mësimi i Horacit për një jetë më të mirë 9 Gusht 2026, 19:3419:34Kulture

