Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë kërkuar që udhëheqësit politikë të takohen e të diskutojnë për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Haxhiu u ka dërguar ftesë udhëheqësve partiakë për një takim konsultativ që është caktuar për të martën e 18 gushtit. Ndërkaq, Kurti, gjatë një prononcimi për gazetarë më herët gjatë së premtes u shpreh se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet me emra konkretë për për kreun e ri të shtetit.
Në ftesën që Haxhiu u ka dërguar udhëheqësve partiakë thuhet se takimin konsultativ ajo e ka thirrur për të biseduar për zhvillimet aktuale e politike dhe institucionale. Në ftesë është vënë theksi te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje për “zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.
Ndërkaq, Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë tha se partitë duhet të nisin diskutimet për çështjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja - që do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025. “Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti, i cili njëherësh është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit. Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve.
Kurti bëri të ditur se mbrëmë u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin./rel Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

