Më 28 gusht 2025 raportuam për tenderin për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës, segmenti Kashar–Vaqarr–Mullet, i fituar nga kompania 4 A-M, me një vlerë prej 2,629,609,230 lekësh pa TVSH, ose rreth 32 milionë euro me TVSH, nga një fond limit prej rreth 41 milionë eurosh me TVSH. Kompania rezultonte në pronësi të Ardit Metaliajt, ndërsa sipas raportimeve mediatike ajo lidhej me biznesmenin Bashkim Ulaj. Autoriteti Prokurues ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i drejtuar asokohe nga Gentian Gjyli.
Tenderi, i hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, ishte shënuar me “flamur të kuq”, pasi të gjitha ofertat e tjera u skualifikuan. Mes tyre kishte edhe oferta me vlera më të ulëta, por kompanitë u përjashtuan për arsye të lidhura me dokumentacionin, kriteret teknike e administrative apo mosrespektimin e specifikimeve të projektit. Në shkrimin e një viti më parë ngritëm pikëpyetje mbi mënyrën se si 4 A-M e Ardit Metaliajt, për të cilën mediat kishin raportuar lidhje me Bashkim Ulajn, përfi fituese e një kontrate prej rreth 32 milionë eurosh.
Një vit më pas, pyetjet mbi këtë tender mbeten të forta, pse u skualifikuan të gjitha ofertat e tjera, përfshirë ato me çmime më të ulëta, dhe sa konkurruese ishte realisht procedura e zhvilluar nga ARRSH nën drejtimin e Gentian Gjylit? Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro nga paratë publike, ndërsa pretendimet mediatike për lidhjen mes Ardit Metaliajt, kompanisë 4 A-M dhe Bashkim Ulajt kërkojnë transparencë dhe verifikim të plotë nga institucionet përgjegjëse. Një vit pas publikimit të investigimit, kontrata prej rreth 32 milionë eurosh vijon të jetë një nga ato raste ku dokumentet e prokurimit dhe zbatimi i projektit duhet të flasin më shumë se çdo deklaratë.

