Më 14 gusht 2021 ngritëm pyetjen se si familja Peçini po shfaqej vazhdimisht në kontratat e shëndetësisë publike, duke nisur me tenderin e Spitalit Rajonal të Lezhës për evadimin e mbetjeve të rrezikshme. Sot, pesë vite më vonë, dokumentet e prokurimeve tregojnë se historia nuk është mbyllur. MEDI-TEL, me Anastas Peçinin në administrim dhe me Ervin Kristo e Roland Balla si administratorë të regjistruar, vijon të jetë një nga operatorët e pranishëm në këtë treg. Në vitin 2021, procedura e Lezhës kishte fond limit 7.852 milionë lekë pa TVSH dhe kontrata me MEDI-TEL rezulton 5.8903 milionë lekë; ndërsa në atë kohë procedura ishte shoqëruar me “red flag” për skualifikimin e operatorëve konkurrues.
Por ajo që tërheq vëmendjen sot është vazhdimësia. Sipas të dhënave të Open Procurement, MEDI-TEL ka 122 tenderë të listuar, me fond limit të përgjithshëm rreth 312 milionë lekë dhe vlerë të fituar rreth 259.6 milionë lekë, pa TVSH. Vetëm në të dhënat e publikuara për periudhën e fundit shfaqen kontrata si 15.54 milionë lekë për materiale për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në QSUNT për 24 muaj, 6.704 milionë lekë për evadimin dhe trajtimin e mbetjeve në Pogradec, 5.427 milionë lekë në Gjirokastër, 4.865 milionë lekë në Dibër dhe 7.939 milionë lekë në Vlorë. Pra, pesë vite pas shkrimit të parë, nuk kemi të bëjmë me një histori të mbyllur, por me një kompani që vijon të marrë kontrata publike në të njëjtën fushë.
Dhe këtu qëndron pyetja që institucionet duhet t’i japin përgjigje, jo gazetaria ta anashkalojë: a është kontrolluar ndonjëherë në mënyrë të plotë zinxhiri i marrëdhënieve, ankesave, procedurave dhe kontratave që kanë sjellë këto miliona drejt të njëjtit operator? Aq më tepër kur në gusht 2021, Agjencia Kombëtare e Mjedisit zhvilloi një inspektim ndaj MEDI-TEL dhe dokumenti i inspektimit evidentoi shkelje të kërkesave ligjore për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Ndërkohë, në rastin tjetër të shumëpërfolur, Olti Peçini, vëllai i Anastas Peçinit, figuron si përfitues i 49% të S2 Albania përmes ICMS; dokumentet e regjistrimit e konfirmojnë këtë strukturë pronësie në koncesionin Rapiscan. Pesë vite më pas, pyetja mbetet e njëjtë, por shifrat janë shtuar, sa para publike kanë kaluar realisht në rrjetin e kompanive të lidhura me familjen Peçini dhe sa prej këtyre procedurave janë kontrolluar ndonjëherë seriozisht nga institucionet e hetimit dhe prokurimit?

