32 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa situata paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 28 vatra janë shuar plotësisht, 3 vijojnë të jenë nën mbikëqyrje, ndërsa vetëm një vatër mbetet aktive. Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale, të mbështetura nga 30 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 92 efektivë, 10 mjete, një dron dhe një autoambulancë. Në Qarkun Tiranë, vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës së djeshme ndërhynë edhe 33 efektivë të Forcave të Armatosura, është shuar. E fikur rezulton edhe vatra në Malin me Gropa. Në Qarkun Dibër, vatrat në Lundre-Madhesh të bashkisë Mat, në Cerrujë të Klosit dhe në Selishtë vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqet asnjëra rrezik për zonat e banuara. Vatra e vetme aktive ndodhet në fshatin Gallatë, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i bashkisë Mat. Terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e mjeteve, por edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Ndërkohë, në Qarkun Shkodër janë shuar vatrat në Porav, Rragam dhe në malin e Tërbunit. Të shuara janë edhe vatrat e raportuara në Fier-Mallakastër, Elbasan dhe Korçë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: zjarr

