Dhjetori i vitit 1980. Në Tiranë, një ekip ndërkombëtar kinematografik përgatitet të realizojë një film të bazuar në romanin e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në kast janë emra të mëdhenj të kinemasë evropiane, mes tyre Michel Piccoli dhe Marcello Mastroianni. Pas tre vjetësh përgatitjesh, gjithçka duket gati. Por vetëm pak ditë përpara nisjes së xhirimeve, ekipi dërgohet në Rinas dhe largohet nga Shqipëria, pa arritur të xhirojë asgjë. Për dekada, përgjegjësia iu la regjimit komunist shqiptar. Por gazetari dhe shkrimtari italian Antonio Caiazza, përmes dokumenteve diplomatike të gjetura në arkivat e Italisë, Francës dhe Shqipërisë, sjell në dritë një histori tjetër. Ishte Italia që nuk e dëshiroi këtë film, pasi në qendër ishte një histori që rikthente në vëmendje pushtimin fashist dhe dhunën ndaj popullsisë civile, një kapitull i vështirë për t’u përballur nga pala italiane. “Gjithmonë ishte thënë se filmi i famshëm italian ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ me Marcello Mastroianni-n, Michel Piccoli dhe Sergio Castellitton, nuk ishte xhiruar dot në Shqipëri, sepse shqiptarët ishin një popull i çuditshëm, paranojak, që shihte spiunë kudo. Në të vërtetë, faji ishte i palës italiane. Italia nuk e dëshironte këtë film, sepse ai rihapte një kapitull që shteti zyrtar italian donte ta mbyllte përgjithmonë: kapitullin e kolonializmit dhe të pushtimit italian të Shqipërisë.”, thotë për “Report TV”, autori Antonio Caiazza. LEXO EDHE:Kur mafia diktonte realizimin e filmit-ikonë “Kumbari” Në librin “Intrigë ndërkombëtare”, botuar në shqip nga “Toena” e të prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar Letrar “Tirana Gate”, autori i librit, gazetari Caiazza rindërton prapaskenat diplomatike që, sipas kërkimit të tij, penguan realizimin e filmit në Shqipëri. “Fillimisht, i gjeta dokumentet në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Më pas, gjeta dokumente që i vërtetonin këto fakte edhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Dokumentet në Romë dhe në Tiranë përputhen në mënyrë të përsosur.”, vijon Caiazza. Pavarësisht pengesave, regjisori Luciano Tovoli nuk hoqi dorë. Xhirimet u zhvendosën nga Shqipëria, në Abruzzo të Italisë, dhe filmi u realizua në vitin 1983, me ndryshime nga projekti fillestar. Dokumentet zbulojnë edhe ndërthurjen e interesave të Francës dhe Italisë, ndërsa Shqipëria e izoluar gjendej mes presioneve politike dhe përpjekjeve për të ruajtur marrëdhëniet me Perëndimin. “Për herë të parë, lexuesit shqiptarë marrin në dorë dokumente që tregojnë përpjekjet për të realizuar diçka që ngjante me një mision të pamundur. Vepra e Kadaresë përfshihet në një intrigë që tejkalon Shqipërinë dhe merr përmasa ndërkombëtare.”, thotë redaktori i librit, Eris Rusi. Por historia nuk përfi me realizimin e filmit. Për vite me radhë, ai mbeti larg ekraneve italiane dhe publikut të gjerë. Vetëm dekada më pas, në vitin 2023, filmi u shfaq për herë të parë në një sallë kinemaje në Romë dhe në dhjetor 2023 u shfaq edhe në Tiranë, në “Bunk’Art 1”, në praninë e regjisorit Luciano Tovoli dhe të Ismail Kadaresë. Me librin “Intrigë ndërkombëtare”, Antonio Caiazza sjell në dritë një histori të panjohur të marrëdhënieve shqiptaro-italiane dhe të betejës për kujtesën historike. Një libër që rikthen në vëmendje jo vetëm fatin e një filmi, por edhe përpjekjet për të heshtur një kapitull të së kaluarës fashiste. B.G TAG: filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur Ismail Kadare libri Intrige nderkombetare Antonio Caiazza Marcello Mastroianni Michel Piccoli Tirana Gate Eris Rusi bunkart Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 60.3% Jo 33.6% Nuk e di 6.1% Vota total: 4344 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
