Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës Malishevën, ku një 25-vjeçare shtatzënë humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri. Në të njëjtën ngjarje, bashkëshorti i saj 26-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas informacioneve të bëra publike, viktima është Jetlira Foniqi, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë. Ajo u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. 25-vjeçarja ndërroi jetë në repartin e Emergjencës në QKUK.
Policia ka bërë të ditur se dy personat janë gjetur të plagosur në një dhomë gjumi, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten objekt hetimi.
Bashkëshorti i viktimës, 26-vjeçari i plagosur, po merr trajtim në QKUK. Sipas të dhënave nga spitali, gjendja e tij është shumë e rëndë dhe jo stabile. Ai është i intubuar dhe po mbahet në respirator, ndërsa mjekët po vijojnë trajtimin dhe ekzaminimet e nevojshme.
Familjarët e Jetlira Foniqit kanë reaguar pas ngjarjes tragjike, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e asaj që ndodhi.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bashkëshorti ka qëlluar me armë gruan e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat dhe motivin e ngjarjes.

