Revolucioni i Flamingove / Prej 3 muajsh, protestat që nisën kundër projekteve luksoze në zona të mbrojtura, janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit, oligarkëve dhe mënyrës së qeverisjes. Një lëvizje e pazakontë, që bashkon të rinj, aktivistë të mjedisit, të majtë, konservatorë dhe nacionalistë, po vë në diskutim se kush duhet të ketë fjalën e fundit për të ardhmen e vendit... Prej fundit të majit, ditë pas dite, shqiptarët kanë dalë në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër një kompleksi luksoz turistik që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, planifikojnë të ndërtojnë në bashkëpunim me një investitor shqiptar.
Ajo që nisi me disa qindra demonstrues është zgjeruar gradualisht dhe tashmë është shndërruar në një lëvizje masive. Në disa protesta kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra njerëz, në një vend me rreth 2.5 milionë banorë.
Ajo që filloi si një mobilizim për mbrojtjen e mjedisit, është kthyer në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës se si qeveriset vendi. Flamujt shqiptarë dhe simbolet e UÇK-së janë shfaqur krahas flamujve amerikanë dhe flamingove rozë, duke e shndërruar protestën në një përplasje rreth natyrës, korrupsionit, kapitalizmit dhe të drejtës së qytetarëve për të vendosur mbi territorin e tyre.
Në ishullin e Sazanit, Atlantic Incubation Partners LLC, e lidhur me kompaninë e investimeve Affinity Partners të Jared Kushnerit, synon të investojë 1.4 miliardë euro. Ndërkohë, 4.7 miliardë euro të tjera janë parashikuar për projekte turistike në lagunën e Nartës, pranë Zvërnecit.
Të dyja zonat janë të mbrojtura dhe Narta është një prej pikave të rëndësishme të ndalimit në Evropë për flamingot dhe shpendët e tjerë shtegtarë. Hotelet, apartamentet, vilat dhe një marinë, pritet të zënë hapësirat ku sot ndodhen zona natyrore.
Për qeverinë shqiptare, këto janë projekte prestigjioze që sjellin investime, turizëm luksoz, vende pune dhe rritje ekonomike. Për kundërshtarët, ato janë shembulli më i dukshëm i mënyrës se si pushteti dhe kapitali po vendosin për territorin e vendit.
Protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve lehtësuese në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara në vitin 2024, si dhe shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, i cili përshpejton procedurat për projektet e konsideruara prioritare. Atlantic Incubation Partners, e ka fituar tashmë statusin e investitorit strategjik.
Por për protestuesit, projekti i Kushnerit është vetëm maja e ajsbergut. Në të gjithë vendin, projekte të ndryshme po u japin investitorëve privatë, veçanërisht atyre të huaj, akses në toka me vlera historike, kulturore dhe ekologjike. Pikërisht këtu protesta ka marrë një dimension politik.
“Shqipëria nuk shitet”
Kjo është parrulla që dëgjohet natë pas nate në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët që të çojnë drejt institucioneve qendrore. Protestuesit thonë se nuk duan të jenë më spektatorë të një zhvillimi të vendit që vendoset pa pjesëmarrjen e tyre.
Në pamje të parë, flamujt amerikanë krahas flamujve shqiptarë, mund të duken si një paradoks në një protestë kundër një projekti amerikan. Por pikërisht ky kontrast tregon natyrën e lëvizjes. Kritika nuk drejtohet domosdoshmërisht kundër investimeve të huaja, por kundër mënyrës se si kapitali i huaj dhe pushteti politik ndërthuren në Shqipëri.
Elsa Paja, artiste pamore, dizajnere grafike dhe aktiviste, ka marrë pjesë në protesta që prej fillimit. Së bashku me artistë të tjerë, ajo ka ngritur një hapësirë ku fëmijët mund të vizatojnë dhe të shprehin atë që ndiejnë. Në vizatimet e tyre shfaqen plazhe, flamingo, ekskavatorë dhe rrethime.
Politizimi i protestave erdhi shpejt. Rrethimi i zonave natyrore dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Zvërnec e zgjeruan zemërimin. “Ne nuk lejoheshim më të shkelnim në tokën tonë. Kjo ishte tashmë e qartë”, thotë Paja.
Kështu, pyetja nuk ishte më vetëm nëse duhet të ndërtohej një resort. Ajo u shndërrua në një çështje shumë më të madhe: Kush ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e vendit?
Flamingoja rozë kundër oligarkëve
Melitian Nezai, biolog mjedisor dhe aktivist 29-vjeçar, u përfshi në lëvizje që në ditët e para. Për të, flamingoja rozë është simboli i saj kryesor. “Flamingoja rozë nuk përfaqëson një parti, një komb apo një lider. Ajo është simboli i një hapësire të gjallë”, shprehet ai.
Pikërisht kjo e ka bërë flamingon një simbol bashkues për një lëvizje që është e vështirë të vendoset në një krah të vetëm politik. Në protesta janë bashkuar organizata të majta, aktivistë të mjedisit, përfaqësues të komuniteteve fetare, por edhe forca konservatore, nacionaliste dhe të djathta.
Kjo përzierje nuk ka qenë gjithmonë pa përplasje, por ajo që i bashkon është pakënaqësia ndaj sistemit politik aktual. Protestuesit nuk shohin as qeverinë e Edi Ramës dhe as opozitën tradicionale si zgjidhje të problemit.
Për shumë prej tyre, Sali Berisha dhe partitë e mëdha janë gjithashtu pjesë e një sistemi të konsumuar. Prandaj, çështja nuk shihet thjesht si një betejë për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër. Në qendër qëndron bindja se një elitë politike dhe ekonomike ka kontrolluar për vite me radhë vendimmarrjen.
Flamujt shqiptarë janë të pranishëm pothuajse kudo, ndërsa simbolet e UÇK-së shfaqen në disa protesta. Megjithatë, kjo nuk përbën dëshmi për ndonjë përfshirje organizative të UÇK-së. Organizata e veteranëve të saj është shprehur kundër përdorimit të simboleve për qëllime politike aktuale.
Paja sqaron gjithashtu se nuk është kundër investimeve të huaja në vetvete. “Ne duam investime që u sjellin përfitime banorëve vendas, dhe jo vetëm oligarkëve dhe të huajve që kanë ardhur për të marrë në dorë vendin tonë”, thotë ajo.
Kush vendos se si përdoret toka? Kush vendos se si shfrytëzohen burimet? Kush përfiton prej tyre? Këto pyetje e kanë shoqëruar Shqipërinë që prej fillimit të viteve 1990.
Një tranzicion që nuk po përfn
Pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria u fut në një proces të shpejtë transformimi ekonomik. Privatizimi u zhvillua me ritme të larta, ndërsa vendi u hap ndaj kapitalit të huaj në një kohë kur institucionet demokratike ishin ende të brishta.
Shumë shqiptarë nuk kishin përvojë me ekonominë e tregut dhe u ekspozuan ndaj manipulimit. Skemat piramidale, në të cilat kishin investuar një pjesë e madhe e popullsisë dhe ku ishin përfshirë edhe politikanë, u shembën në vitin 1997, duke shkaktuar një krizë të rëndë politike dhe sociale.
Në përplasjet që pasuan humbën jetën më shumë se një mijë njerëz. Por brezi që proteston sot nuk e sheh problemin vetëm te kaosi i vitit 1997. Për të, “terapia e shokut” e fillimit të tranzicionit nuk ka përfunduar kurrë.
“Jam 29 vjeç dhe prej 36 vitesh jemi në transformim. E gjithë jeta ime deri tani ka qenë vetëm një fazë tranzicioni”, thotë Nezai. Problemi shfaqet edhe në jetën e përditshme. Ndërsa paga mesatare është rreth 630 euro, shumë të rinj punojnë gjashtë ditë në javë dhe deri në 12 orë në ditë.
Çmimet e ushqimeve janë të larta, ndërsa një apartament i vogël mund të kushtojë rreth 400 euro qira në muaj edhe në periferi të Tiranës. Për këtë arsye, shumë të rinj largohen nga vendi. Rreth 5 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë, një shifër që përfshin edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në të njëjtën kohë, turizmi po lulëzon dhe, bashkë me ndërtimin, është shndërruar në një prej motorëve kryesorë të ekonomisë. Për protestuesit, kjo nuk është kontradiktë. “Ne ndihemi si turistë në vendin tonë!”, thotë Paja.
Sipas saj, disa zona po projektohen gjithnjë e më shumë për vizitorët dhe investitorët, ndërsa për banorët vendas po bëhen të huaja. Nezai e lidh drejtpërdrejt emigracionin me pushtetin politik: sa më shumë të rinj largohen, aq më pak njerëz mbeten për të kundërshtuar vendimet që prekin komunitetet e tyre.
Ku po shkon lëvizja?
Flamujt shqiptarë dhe flamingot rozë e kanë shndërruar protestën në një formë patriotizmi kritik ndaj kapitalizmit. Në thelb, bëhet fjalë për një lëvizje kundër korrupsionit, pa një ideologji të vetme dhe me një pjesëmarrje të fortë të brezit të ri.
Krahas dy partive të mëdha tradicionale, të cilat lëvizja i refuzon, të paktën tri parti më të vogla kanë shprehur mbështetje për protestat. Mes tyre spikat Lëvizja Bashkë, një forcë e re, ekologjike dhe e majtë, aktivistët e së cilës kanë qenë të pranishëm që në ditët e para.
Ata kanë dokumentuar incidentet, kanë ndihmuar në koordinimin e protestave dhe kanë bërë të mundur që lëvizja të fitojë vëmendje përtej Shqipërisë. Megjithatë, Lëvizja Bashkë nuk pretendon të jetë udhëheqja e vetme e këtij mobilizimi.
Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja, ndërsa lëvizja përpiqet të ruajë karakterin e saj përtej ndarjeve tradicionale partiake. Pas 3 muajsh, protesta nuk ka të bëjë më vetëm me Sazanin, Nartën apo një resort të caktuar. Ajo është shndërruar në një debat mbi modelin e zhvillimit të Shqipërisë dhe mbi raportin mes qytetarëve, politikës dhe kapitalit.
Flamingoja rozë, që nisi si simbol i mbrojtjes së natyrës, tashmë përfaqëson diçka më të madhe: një brez që kërkon të ketë zë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tij. Dhe pyetja që mbetet pezull pas tre muajsh protestash është e thjeshtë, por themelore: Kush do të vendosë për Shqipërinë e së ardhmes: qytetarët, politika apo kapitali?/Pamfleti nga “International View Point”qytetarët politika kapitali shqipëria e së nesërmes Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Qytetari, “pakoja postare” e Ramës 24 Gusht 2026, 12:0012:00Forum Kur feja shndërrohet në mur brenda vetvetes! 24 Gusht 2026, 08:1808:18Forum Faturën e paguan populli që punon! 23 Gusht 2026, 18:4618:46Forum Zbulohen dy biznese 'mjedisore' të dhëndrit të Berishës, si përfitonte para Malltezi nga VKM-të e vjehrrit kryeministër 22 Gusht 2026, 19:5419:54Forum Diplomacia amerikane si një biznes pronash! 22 Gusht 2026, 15:4615:46Forum Guximi i paskrupullt për propagandë 22 Gusht 2026, 13:4613:46Forum

