Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në fund të një pusi në Longiano të Italisë, pas më shumë se 20 ditësh kërkimesh. Për ngjarjen është ndaluar një 29-vjeçar, i cili sipas mediave italiane, ka pranuar përgjegjësinë për krimin. Dyshohet se vrasja ndodhi pas një konflikti për një borxh të lidhur me drogën, ndërsa pas ngjarjes autori i dyshuar fshehu trupin dhe dogji makinën e viktimës për të zhdukur gjurmët. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, mbrëmjen e 8 tetorit kur Maxhallaku u zhduk, ai ishte takuar me 29-vjeçarin në banesën e këtij të fundit. Takimi dyshohet se përfi në një debat të ashpër, i cili më pas degjeneroi në dhunë. Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari raportohet se ka deklaruar: “Kisha frikë për veten dhe familjen time”, duke pretenduar se ishte ndier i kërcënuar dhe kishte humbur kontrollin gjatë konfliktit. LEXO edhe...Itali/ E mitura shqiptare akuzohet për lidhje me ISIS-in, në telefon iu gjetën manuale për prodhimin e eksplozivëve! Vihet nën hetim Pas vrasjes, trupi i shqiptarit dyshohet se u fsheh në një pus betoni në zonën e Felloniche, ndërsa makina e tij u dogj në përpjekje për të zhdukur provat. Makina e djegur dhe telefonatat çuan te i dyshuari Makina e Maxhallakut ishte gjetur plotësisht e djegur mëngjesin e 9 tetorit, disa kilometra larg vendit ku u zbulua trupi. Ky ishte një nga elementet që orientoi hetimet e karabinierëve, të cilët për rreth 20 ditë kontrolluan zona të ndryshme, përfshirë ferma, kanale dhe puse. Paralelisht, hetuesit analizuan të dhënat telefonike dhe kontaktet e fundit të viktimës. Sipas mediave italiane, 29-vjeçari rezultoi personi i fundit që kishte pasur kontakte me shqiptarin. Pas marrjes në pyetje, ai u ndalua nën dyshimet për vrasje dhe fshehje të kufomës. Trupi u gjet dhjetë metra në thellësi të pusit Zbulimi tragjik u bë mëngjesin e 28 tetorit, rreth orës 10:00, në zonën e Felloniche në Longiano. Trupi ndodhej rreth dhjetë metra në thellësi i zhytur në ujë dhe me kokën poshtë. Operacionet për nxjerrjen e tij ishin të ndërlikuara dhe vazhduan deri në orët e pasdites, me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe njësive të specializuara. Pranë vendit ku u gjet trupi karabinierët sekuestruan edhe dy gëzhoja pistolete. Autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të ndihmojë në rindërtimin e plotë të ngjarjes. Denaldo Maxhallaku jetonte në Gatteo, punonte si bojaxhi dhe la pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm një vjeçe. Mbrëmjen e zhdukjes, ai ishte larguar nga shtëpia duke i thënë bashkëshortes: “Po shkoj në bar, shihemi në mbrëmje”. Por nuk u kthye më. Bashkëshortja e tij e ka përshkruar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe punës. “Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte vajzën tonë dhe ishte një punëtor i madh”, ka rrëfyer ajo. Ndërkohë, 29-vjeçari i ndaluar pritet të përballet me procedurat gjyqësore për vleftësimin e ndalimit. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë e të dyshuarit. A.C/ReportTv.al Denaldo Maxhallaku itali shqiptarët në itali Komento Komente Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 73.4% Jo 23.8% Nuk e di 2.8% Vota total: 5021 Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?

