Një 55-vjeçar shqiptar, Mikel Rroku, është gjetur i vrarë në banesën e tij në Torino, ndërsa hetimet e autoriteteve italiane kanë çuar në arrestimin e ish-gruas së tij dhe partnerit të saj të ri. Rroku u gjet me dëmtime të rënda në kokë dhe hetuesit dyshojnë se ai është goditur disa herë me një objekt të fortë. Në pranga kanë përfunduar Laura Bordello, 45 vjeçe, ish-bashkëshortja e viktimës, dhe Duccio Fragiacomo, 52 vjeç, partneri i saj. Sipas hetuesve, çifti dyshohet se kishte planifikuar vrasjen dhe motivi lidhej me banesën sociale ku jetonte Rroku, të cilën gruaja dëshironte ta merrte për të jetuar me partnerin e ri. Hetimet kanë zbuluar se ata kishin shqyrtuar edhe mënyra të tjera për ta vrarë. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është historiku i kërkimeve në ChatGPT, ku është gjetur një pyetje lidhur me përdorimin e metadonit për të shkaktuar vdekjen. Sipas rindërtimit të autoriteteve, çifti përfundimisht dyshohet se e sulmoi Rrokun në banesën e tij, ndërsa më pas kishte nisur të mendonte edhe për t’u larguar nga Italia. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

