Lajme Zone
Ekspozita fotografike “Udhëtime te arumunët e Ballkanit”! Prezantimi i manualit të avancuar të dialektit arumun
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Ekspozita fotografike “Udhëtime te arumunët e Ballkanit”! Prezantimi i manualit të avancuar të dialektit arumun

Fotografi të rralla dhe dëshmi të së shkuarës bëhen bashkë në Qendrën e Artit dhe Kulturës në Korçë për të sjellë në vëmendje trashëgiminë e komuniteteve arumune. Nisma “Udhëtime te arumunët e Ballkanit” lidh kujtesën historike me studimet gjuhësore dhe përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Më shumë se një shekull histori vjen përmes fotografive dhe filmimeve që dokumentojnë jetën, njerëzit dhe vendbanimet e komuniteteve arumune në Ballkan. “Udhëtime te arumunët e Ballkanit” e çelur në Korçë sjell në vëmendje këtë trashëgimi përmes një ekspozite imersive me imazhe të rralla të realizuara nga vëllezërit Janaki dhe Milton Manakia, pionierë të fotografisë dhe filmit në Ballkan, si dhe ekspozimit të fotografive të realizuara gjatë kërkimeve ndër vite pranë arumunëve të Shqipërisë nga Prof. dr. Manuela Nevaci dhe fotografive dhe filmimeve të reja të realizuara nga Prof. Catalin Constantin pranë arumunëve të Ballkanit. LEXO edhe...Shqipëria në 'syrin' e kamerës, mbahet në kryeqytet edicioni i 9-të i Tirana Photo Festival Këto fotografi historike të ndërthurura me fotografi dhe filmime të reja tregojnë ndryshimet e këtyre komuniteteve dhe gjurmët që kanë lënë ndër vite në hapësirën ballkanike. “Kjo ekspozitë vjen për herë të dytë sot në Korçë, mirëpo herën e kaluar ishte në format fizik, ndërsa këtë vit vjen në format digjital. Është një histori që përshkon Ballkanin, kufijtë, vende të ndryshme, por edhe kohën. Janë fotografi të realizuara më shumë se një shekull më parë.”, tha prof. Cătălin D. Constantin. Mes vendeve të përfshira në projekt janë Korça, Voskopoja dhe Ardenica. Në fokus është edhe roli i këtyre qendrave në historinë e arsimit dhe kulturës arumune, si dhe lidhjet e hershme mes komuniteteve arumune dhe shqiptare. “Një nga këto lokalitete është Voskopoja, vendbanimi i famshëm ku nisi, të themi , kultura rumune, ku shkrimtarët e parë rumunë shkruan veprat e tyre të publikuara në Vjenë e në Budapest në atë kohë, dhe nga ku buron kultura rumune me origjinë arumune. Ne e morëm këtë model dhe çdo imazh përfaqëson një pjesë të vogël nga kërkimi im i nisur që nga viti 2005, që kur vij vazhdimisht në Shqipëri.”, tha prof. dr. Manuela Nevaci. Ekspozita është pjesë e një cikli aktivitetesh akademike e kulturore që nisën më 5 tetor, me hapjen e vitit të ri akademik në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës. Ceremonia riafirmoi bashkëpunimin shqiptaro-rumun në fushën e studimeve arumune dhe u ndoq nga ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Oktavian Sherban, si dhe studiueset Manuela Nevaci e Irina Floarea nga Instituti i Gjuhësisë “Iorgu Iordan – Alexandru Rosetti” i Akademisë Rumune. Më 6 tetor u prezantua edhe Manuali i Dialektit Arumun për Studime Universitare – Niveli i Avancuar C1, me autorë Nicolae Saramandu, Manuela Nevaci dhe Irina Floarea. Botimi ndërthur mësimin e dialektit arumun me rumanishten letrare, historinë, kulturën dhe kujtesën kolektive. “Ky projekt vjen në vazhdimësi të projekteve të tjera të zhvilluara. Vijmë me një rezultat të ri, së pari me manual të nivelit universitar për mësimnxënien e dialektit arumun, dialektit që flitet sidomos në zonën e Korçës, që të vazhdojnë këtë trashëgimi kulturore të çmuar.” tha Prof.as.dr. Daniela-Carmen Stoica. Cikli u shoqërua edhe me leksione mbi trashëgiminë gjuhësore arumune dhe kujtesën vizuale të qyteteve ballkanike. Përmes fotografisë, gjuhës dhe kërkimit shkencor, nisma synon të dokumentojë dhe t’u përcjellë brezave të rinj historinë e komuniteteve arumune, duke ruajtur gjurmët e tyre në mozaikun kulturor të Ballkanit. B.G/ReportTv.al arumunet ekspozite ekspozita universiteti fan noli Cătălin D. Constantin Manuela Nevaci Daniela Stoica Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.2% Jo 22.2% Nuk e di 6.6% Vota total: 4653 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?