Pas zgjedhjeve në Serbi, shqiptarët presin certifikimin e rezultateve, ndërsa shpresojnë që rezultati përfundimtar t’u sigurojë edhe mandatin e tretë në Parlamentin serb. Visar Mehmeti foli këtë të hënë për përfaqësimin e shqiptarëve dhe çështjet që pritet të çojnë në Parlament, nga pasivizimi i adresave dhe mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës, te përfaqësimi në institucionet shtetërore.
Në një intervistë për “Breaking” me Xhoi Malësinë, Mehmeti tha se shpresa për sigurimin e tre mandateve mbetet deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit.
Ai komentoi gjithashtu bashkimin e forcave politike shqiptare në këto zgjedhje, të ardhmen politike të Aleksandar Vuçiçit dhe perspektivën e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Mehmetit, shqiptarët e Luginës kanë një sërë problematikash që duhet të adresohen në Parlamentin e Serbisë.
Visar Mehmeti: Patjetër do të certifikohen rezultatet. Zgjedhjet shkuan mirë, ishin të mundimshme, të ngarkuara. Të sigurojmë tre mandate, shpresa vdes e fundit, do të presim finalen.
Xhoi Malësia: Si e sheh rrëzimin e një pushteti mbi një dekadë?
Visar Mehmeti: Padyshim një çështje pozitive, duke parë pushtetin gjithëpërfshirës prej 14 vitesh. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për Serbinë, rajonin, por edhe BE-në. Kemi pasur komisionerë të listës studentore.
Xhoi Malësia: Pret një përpjekje të re për dialog me Kosovën?
Visar Mehmeti: Me thënë të drejtën, lista studentore, duke mos amnistuar, se nuk dimë strukturën e saktë, në fushatë nuk është marrë shumë me Kosovën, por me problematikën në Serbi, që ka munduar këtë shoqëri. Kosova në këtë fushatë ka qenë në plan të dytë.
Xhoi Malësia: Po për bashkimin e shqiptarëve?
Mehmeti: Zgjedhje ka pasur edhe në vitet 2022 e 2023, nuk patëm sukses. Këtë herë kryeministri i Kosovës, u bëmë bashkë, lamë inatet personale dhe klanore që të rritim pulset në parlamentin serb.
Xhoi Malësia: Po Vuçiç-i në politikë?
Visar Mehmeti: Nuk do të ketë të ardhme Vuçiçi, është harxhuar komplet, i ka kaluar 14 vite në pushtet. Nuk do të merret me politikë, besoj të hapë rrugën edhe për gjëra të reja te partia e tij e lista e studentëve.
Xhoi Malësia: Ku do të fokusohesh te puna jote në parlament?
Visar Mehmeti: Ne në Luginë kemi shumë çështje, pasivizimi i adresave, diplomat e universiteteve të Kosovës nuk njihen në Luginën e Preshevës. Janë detyruar të emigrojnë. Policia shumë e ndjeshme. Institucionet shtetërore të painkuadruara në komunitetin shqiptar. Ka shumë tema që duhet të diskutohen.
Xhoi Malësia: Si është fryma e bashkëpunimit me 9 partitë e tjera politike në Preshevë? Janë shumë pak shqiptarë që të jenë kaq të përçarë.
Visar Mehmeti: Ne shqiptarët e Luginës jemi ndryshe nga të tjerët. Si gjeneratë e re, duhet t’i zëvendësojmë partitë politike, të zëvendësojmë inatet e tekat tona. Janë shumë parti politike. Janë shumëzuar në një kohë para 5-6 vitesh. Janë shumëzuar edhe më shumë vitet e fundit.
Xhoi Malësia: Zgjedhjet a ndihmuan në frymën e bashkëpunimit?
Visar Mehmeti: Duhet t’i ndajmë dy çështje: lokale dhe qendrore. Çështjet lokale duhet të debatohen e të kritikohen veçmas. Çështje që lidhen me secilin shqiptar që ndihet luginas. Për fat të keq, jemi të ndarë në çështjet lokale. Top Channel

