Shqipëria pritet të hapë dyert edhe për punonjës nga Vietnami. Pas ardhjes së punëtorëve nga Bangladeshi dhe Pakistani, qeveria po synon të sjellë edhe fuqi punëtore vietnameze për të mbuluar mungesat në tregun e punës, ndërkohë që gjithnjë e më shumë shqiptarë vazhdojnë të largohen nga vendi për shkak të emigracionit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se marrëveshja me Vietnamin synon të krijojë mundësi për punësimin e shtetasve vietnamezë në Shqipëri, duke iu përgjigjur kërkesave të ekonomisë për fuqi punëtore dhe duke garantuar një migracion të rregullt, të sigurt dhe të qëndrueshëm për punësim.
Sipas saj, kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe në zhvillimin e aftësive profesionale, duke thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Megjithatë, nisma ka rihapur debatin mbi krizën e fuqisë punëtore në vend. Prej vitesh, mijëra shqiptarë kanë zgjedhur emigrimin drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë, në kërkim të pagave më të mira, kushteve më dinjitoze të punës dhe mundësive më të mëdha për jetesë.
Ndërsa bizneset vijojnë të ankohen për mungesën e punonjësve, qeveria e sheh punësimin e shtetasve të huaj si një zgjidhje për nevojat e tregut. Nga ana tjetër, kritikët argumentojnë se pa rritje pagash, përmirësim të kushteve të punës dhe politika që frenojnë emigrimin, Shqipëria do të vazhdojë të mbështetet te punonjësit e huaj, në vend që të krijojë kushtet për rikthimin dhe mbajtjen e fuqisë punëtore shqiptare.

